Pas reagimit të kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka ardhur kundërpërgjigja e kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, lidhur me seancën plenare të së martës.
Bardhi ka deklaruar se është “humbje kohe të sqarosh gënjeshtrat e Taulant Ballës”, duke e akuzuar atë për deklarata të pavërteta lidhur me arsyet e seancës dhe projekt-rezolutën për Iranin.
Sipas Bardhit, në rendin e ditës të njoftuar nga kryetari i Kuvendit nuk është përfshirë miratimi i ndonjë rezolute, por vetëm miratimi i procesverbaleve dhe njoftime.
Ai thekson se rendi i ditës duhet të miratohet me urdhër të kryetarit të Kuvendit dhe të njoftohet të paktën dy ditë përpara zhvillimit të seancës.
Kreu i grupit parlamentar demokrat shtoi gjithashtu se, sipas kalendarit të punimeve të miratuar nga seanca plenare e 19 shkurtit 2026, mbledhja e radhës ishte planifikuar të zhvillohej të enjten, më 19 mars, në përputhje me rregulloren e Kuvendit. Bardhi akuzoi se ndryshimi i ditës së seancës është bërë në mënyrë të njëanshme nga Kryetari i Kuvendit, duke shkelur axhendën e miratuar nga Kuvendi dhe Rregulloren përkatëse.
Reagimi i plotë i Bardhit:
“Është humbje kohe të sqarosh gënjeshtrat e Taulant Ballës, sepse aq shumë sa gënjen, të duhen 24 orë në ditë vetëm për gënjeshtrat e tij. Së pari, në Rendin pa rend dite që ka njoftuar Kryetari i Kuvendit, nuk është përfshirë miratimi i ndonjë rezolute. Në rendin pa rend dite është përfshirë vetëm miratimi i procesverbaleve dhe njoftimet. Rendi i Ditës miratohet me urdhër të Kryetarit të Kuvendit dhe njoftohet jo më vonë se 2 ditë para seancës. Së dyti, në kalendarin e punimeve të Kuvendit, të miratuar nga seanca plenare e datës 19 Shkurt 2026, seanca është planifikuar të zhvillohet të enjten, datë 19 Mars 2026, në përputhje me nenin 40/1 të Rregullores së Kuvendit. Ndryshimi i ditës së mbledhjes së seancës plenare është bërë në mënyrë të njëanshme nga Kryetari i Kuvendit, sipas axhendës së tij personale dhe në kundërshtim me Kalendarin e miratuar me vendim të Kuvendit. Për pasojë, mbledhja e seancës plenare është thirrur në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.
Ne ndjejmë shumë keqardhje që Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste është bërë strehë e të korruptuarve dhe personave të lidhur me krimin e organizuar. Ndjejmë keqardhje që deputetët e këtij grupi parlamentar e përdorin Kuvendin si bunker të korrupsionit dhe krimit të organizuar.”
