Vendosni fjalën kyçe....

Aksident në minierën e Spaçit, plagoset rëndë një minator



Një aksident është regjistruar në minierën e bakrit në zonën e Spaçit, ku ka mbetur i plagosur një minator që punonte për kompaninë Tete Albania Tunnel & Mining.

Sipas informacioneve paraprake, minatori me inicialet E.Gj. është dëmtuar gjatë punës në galeri, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes nuk janë bërë ende të ditura. Pas aksidentit ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku mësohet se ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore.

Lajmi është bërë publik nga Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH), e cila ka reaguar duke dënuar situatën e sigurisë në punë në këtë minierë.

Sipas KSSH, ndaj kompanisë ka pasur vazhdimisht denoncime se operon në kundërshtim flagrant me rregullat e sigurisë dhe mbrojtjes së jetës e shëndetit në punë.

“Punëtorët detyrohen të kryejnë punë jashtë profesionit dhe kapaciteteve të tyre profesionale e fizike. Në minierë mungon personeli i kualifikuar për sigurinë dhe shëndetin në punë, nuk funksionojnë këshillat e sigurisë dhe nuk kryhet vlerësimi ligjor i rrezikut. Masat parandaluese janë pothuajse inekzistente”, thuhet në reagimin e sindikatës.

Sipas të dhënave të KSSH, minatori i aksidentuar ishte me profesion sondist, por ishte detyruar të punonte si minator për shkak të mungesës së fuqisë punëtore pas largimit nga puna të një numri të madh minatorësh.

Konfederata e Sindikatave kërkon një hetim të menjëhershëm, të plotë dhe transparent për aksidentin, si dhe përgjegjësi konkrete nga kompania dhe institucionet shtetërore që, sipas saj, kanë lejuar krijimin e kësaj situate të rrezikshme.

Sindikata ka kritikuar edhe rolin e Inspektoriati Shtetëror i Punës, duke e akuzuar për dështim në garantimin e zbatimit të ligjit dhe tolerim të vazhdueshëm të shkeljeve nga punëdhënësi.

Kompania Tete Albania Tunnel & Mining ishte në qendër të akuzave edhe disa muaj më parë, pasi shkarkoi nga puna 61 minatorë gjatë një greve që ata zhvillonin për paga më të larta dhe kushte më të mira pune.

Minatorët e pushuar nga puna akuzuan kompaninë për kërcënime, presion psikologjik dhe largime të padrejta nga puna.

KSSH thekson se nuk do të heshtë përballë shkeljes së të drejtave të minatorëve dhe rrezikimit të jetës së tyre, duke shtuar se “jeta e punëtorëve nuk mund të sakrifikohet për interesa ekonomike”.