
Princesha e Kurorës Mette-Marit shkëmbeu më shumë se 100 email-e miqësore me autorin e dënuar të krimeve seksuale, Jeffrey Epstein
Figura të shquara të elitës politike dhe institucionale të Norvegjisë – përfshirë princeshën e kurorës, një ish-kryeministër që më pas drejtoi Komitetin Nobel për Paqen dhe drejtuesin aktual të Forumit Ekonomik Botëror – janë përfshirë në skandalin në zgjerim që lidhet me financierin amerikan Jeffrey Epstein.
Edhe disa nga diplomatët më të rëndësishëm të vendit përmenden në email-et e publikuara të premten nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara, duke thelluar tronditjen politike dhe institucionale në vendin skandinav.
Përfshirja e princeshës së kurorës, Mette-Marit, e cila ka shkëmbyer më shumë se 100 email-e miqësore me Epstein-in dhe ka qëndruar në një nga rezidencat e tij, i shtohet një serie skandalesh që kanë rënduar ndjeshëm imazhin e familjes mbretërore norvegjeze.
Zbulimet vijnë në një moment veçanërisht delikat, pasi djali i saj i lindur nga një lidhje e mëparshme, Marius Borg Høiby, do të dalë të martën para gjykatës në Oslo, për t’u përballur me 38 akuza, përfshirë përdhunim dhe vepra penale të lidhura me drogën.
Ndërsa skandali Epstein ka përfshirë figura të fuqishme nga shumë vende – veçanërisht nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe – numri i madh i norvegjezëve të përmendur ka ngritur pikëpyetje serioze në një vend me vetëm 5.5 milionë banorë.
“Kjo e trondit besimin në shoqërinë norvegjeze deri në themele,” deklaroi Arild Hermstad, udhëheqës i Partisë së Gjelbër, duke bërë thirrje për ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar për të hetuar lidhjet e elitës norvegjeze me Epstein-in.
Një tjetër figurë kyçe është Thorbjørn Jagland, kryeministër i Norvegjisë në vitet 1990, ish-kryetar i Komitetit Nobel për Paqen dhe ish-sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës për një dekadë. Email-et e publikuara tregojnë se ai kishte planifikuar një pushim familjar në vitin 2014 në një ishull në pronësi të Epstein-it, ndërsa pjesëtarë të tjerë të familjes së tij qëndruan në një pronë tjetër të financierit të dënuar.
Kryeministri aktual i Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, ndërmori një hap të rrallë duke kritikuar publikisht anëtarë të familjes mbretërore.
“Vetë princesha e kurorës ka pranuar se ka treguar gjykim të dobët – dhe me këtë jam dakord,” tha Støre. “Besoj se edhe Thorbjørn Jagland ka vepruar në të njëjtën mënyrë.”

Ish-kryeministri Thorbjørn Jagland planifikoi pushime familjare në një ishull që i përkiste Epstein në vitin 2014
Në skandal përfshihen gjithashtu Terje Rød-Larsen dhe Mona Juul, ndoshta çifti diplomatik më i njohur i Norvegjisë për rolin e tyre në ndërmjetësimin e Marrëveshjeve të Oslos mes Izraelit dhe Palestinës. Dokumentet e fundit tregojnë se fëmijët e tyre ishin përfitues në testamentin e Epstein-it, ndërsa zbulime të mëparshme kishin nxjerrë në pah se Rød-Larsen kishte marrë hua financiare nga Epstein.
Një tjetër emër i rëndësishëm është Børge Brende, ish-ministër i jashtëm i Norvegjisë dhe aktualisht drejtor ekzekutiv i Forumit Ekonomik Botëror (WEF), i cili kishte darkuar me Epstein-in në vitet 2018 dhe 2019 – shumë kohë pas dënimeve të tij për krime seksuale, shkruan FT.
Të gjitha figurat norvegjeze të përmendura kanë shprehur pendesë për kontaktet me Epstein-in, duke deklaruar se nuk ishin në dijeni të sjelljes së tij kriminale. Megjithatë, zbulimet kanë goditur veçanërisht rëndë besimin publik ndaj familjes mbretërore.
Në një email të vitit 2011, Mette-Marit i shkruante Epstein-it:
“Të kërkova në Google pas emailit të fundit. Dakord, nuk dukej shumë mirë.”
Nuk është e qartë se cilës çështje i referohej ajo. Epstein ishte deklaruar fajtor në vitin 2008 për nxitje të prostitucionit me një të mitur nën moshën 18 vjeç.
Korrespondenca mes princeshës dhe Epstein-it vazhdoi deri në vitin 2014 dhe përfshinte mesazhe me tone ironike e provokuese, përfshirë një ku ajo shkruante:
“Parisi është i mirë për tradhti bashkëshortore. Skandinavet janë material më i mirë për nuse. Por, gjithsesi, kush jam unë që të flas?”
Në një tjetër email, ajo pyeste:
“A është e papërshtatshme që një nënë të sugjerojë dy femra nudo që mbajnë një dërrasë sërfi si ‘wallpaper’ për djalin tim 15-vjeçar?”
Marius Borg Høiby, ka pranuar disa vepra penale më të lehta, por mohon të gjitha akuzat seksuale. Çështja ka tronditur thellë familjen mbretërore norvegjeze.
Mbreti Harald V, 88 vjeç, është përballur më parë me polemika të tjera familjare, përfshirë vendimin e vajzës së tij të dytë, Märtha Louise, për të hequr dorë nga detyrat zyrtare pasi u martua me një shaman – një histori e dokumentuar edhe nga Netflix.
Pas zbulimeve të fundit, e përditshmja norvegjeze Aftenposten shtroi hapur pyetjen që po dominon debatin publik në vend:
“A mund të bëhet Mette-Marit mbretëreshë pas gjithë kësaj?”