
Katër persona janë shpallur në kërkim lidhur me atentatin ndaj Menardo Nikulajt mbrëmjen e djeshme në Rrilë të Lezhës. Lidhur me atentatin u ndalua efektivi B.K. i cili u është kundërpërgjigjur me armë atentorëve.
Ndërkohë në kërkim janë shpallur G.N., E.N., K.N. dhe M.N. të cilët dyshohen si të përfshirë në ngjarjen e rëndë. Ndaj berberhanes në pronësi të Sokol Dacit u qëllua me breshëri ndërsa nga të shtënat mbetën të plagosur Doci dhe dyshohet edhe Nikulaj.
Merando Nikulaj është nipi i biznesmenit Ardian Nikulaj, i cili u ekzekutua në restorantin e tij në Shëngjin më 19 prill 2023. Për vrasjen e tij është arrestuar portugezi Ruben Saraiva ndërsa dyshohet se vrasja është porosituar nga Edmond Haxhia.
Njoftimi
“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 01.02.2026, rreth orës 21:00, në fshatin Rrilë, Njësia Administrative Shënkoll, bashkia Lezhë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një shtetas, Grupi i Posaçëm Hetimor i DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë, ka vijuar intensivisht hetimet me qëllim zbardhjen e ngjarjes, dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në vijim të veprimeve u ekzekutua urdhri i ndalimit, i lëshuar nga Prokurori, për shtetasin B. K., 24 vjeç, banues në fshatin Dragushë, Njësia Administrative Dajç, Bashkia Lezhë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Nga tërësia e veprimeve hetimore e procedurale, ka rezultuar se si të dyshuar në këtë ngjarje janë përfshirë shtetasit G. N., E. N., K. N. dhe M. N., të cilët janë shpallur në kërkim.
Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë Lezhë, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Për shkak të hetimeve, nuk jepen të dhëna të tjera.
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, në ngarkim të shtetasve G. N., E. N., K. N. dhe M. N., të dyshuar për veprat penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit dhe lëndëve shpërthyese”, si dhe në ngarkim të shtetasit B. K., i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Dinamika e ngjarjes së rëndë
“Merando Nikulaj, 21 vjeç ishte duke prerë flokët në një berberhane në fshatin Rrilë të Lezhës. Rreth orës 21:00, një sulm me breshëri kallashnikovi nga rruga drejt berberhanes, nga 2 armë, e la të plagosur në këmbë të riun. Për të nuk dihet më asgjë, pasi pas atentatit, u largua, dhe nuk ka informacione zyrtare që të ketë marrë trajtim në ndonjë spital në vend. Policia ka kryer kontrolle edhe në klinika private, por nuk ka rënë në gjurmë të tij.
Në berberhane mendohet të ketë qenë edhe djali i biznesmenit Ardian Nikulaj, për të cilin gjithashtu nuk dihet nëse policia ka arritur ta gjejë për ta pyetur.
Breshëria e plumbave kapi edhe pronarin e berberhanes që njëkohësisht po qethte Merando Nikulajn, nipin e Ardianit. 30-vjeçari Sokol Daci mori 5 plumba, 2 në kraharor, 2 në bark dhe 1 në këmbë, dhe ndodhet në intubim në spitalin e Traumës në Tiranë.
Në berberhane ishte dhe efektivi Besart Kovaçi, i cili u ndalua sot nga me urdhër të prokurorisë për shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi. Polici civil (i cili shoqëronte Merando Nikulaj), edhe pse jo në detyrë, iu kundërpërgjigj me 4 të shtëna me armën e shërbimit, breshërisë së agresorëve. Ai i tha hetuesve se ndërhyri për t’i neutralizuar autorët, por se nuk arriti të njohë asnjërin prej tyre. Ky reagim ka ndikuar edhe në largimin e të dyshuarve pa realizuar vrasjen e shënjestrës së tyre.
Policia u rikthye sërish në vendngjarje mëngjesin e së hënës. Si një betejë lufte, shenjat e plumbave shfaqen jo vetëm në fasadën e xhamtë të sallonit, por edhe në biznese të tjera.
Policia nuk e di kush janë autorët, por deri më tani ka të qartë dinamikën e asaj çfarë ndodhi. 7 persona dyshohet se morën pjesë të shpërndarë në 2 automjete. Dy dolën jashtë “AUDI-t” dhe qëlluan me breshëri mbi 30 plumba nga kallashnikovë dhe pistoletë. Më pas hynë në makinë dhe u larguan, dyshohet në drejtim të Tiranës. Rruga ka shumë alternativa të tjera devijimesh, të cilat mund të jenë përdorur për të humbur çdo gjurmë.
Për zbardhjen e ngjarjes disa persona u shoqëruan, por deri tani nuk kanë dhënë ndihmë konkrete në hetime. Berberhania nuk ka kamera sigurie, dhe as zona përreth. Vetëm automjeti i atentatorëve u identifikua nga kamerat e disa bizneseve ngjitur. Për të faktuar me prova shkencore praninë e nipit të Nikulajt në berberhane, policia mori gjurmët e gjakut në vendin e ngjarjes, të cilëve do t’iu bëhet ADN-ja.
Sokol Daci ushtronte profesionin e berberit prej vitesh dhe nuk njihej si person problematik apo me precedentë të mëparshëm penalë, një e shkuar e pastër e cila e përforcon bindjen e hetuesve, se nuk ishte ai shënjestra e atentatit.
3 muaj pas atentatit të Ardian Nikualajt në Shëngjin, në Balldren të Lezhës, më 19 korrik të vitit 2023, u vra në shenjë hakmarrje një anëtar i fisit Lekstakaj, Nikolini 42-vjeçar.”