
Pas mbledhjes me krerët e degëve të Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar ashpër ndaj rezultatit të zgjedhjeve vendore, ku opozita nuk arriti të fitojë asnjë nga pesë bashkitë në garë.
Ai e cilësoi situatën si dëshmi të instalimit të një “regjimi” që, sipas tij, po shkatërron çdo standard demokratik në vend.
“U shpalos me shëmtinë e tij dhunimi masiv i votës së lirë të shqiptarëve,” deklaroi Berisha, duke akuzuar qeverinë për përdorimin e strukturave shtetërore dhe lidhjeve me grupe kriminale për të deformuar vullnetin e qytetarëve.
Ai përmendi raportet ndërkombëtare dhe shkeljen e ligjit si elementë që sipas tij tregojnë se pushteti po mbahet me çdo kusht dhe çmim, ndërsa vota e qytetarëve po kthehet në një formalitet pa vlerë.
“Shpalosi hanxharët e bandave kriminale, të aleatëve të qeverisë që mos të lejonin shqiptarët të votonin të lirë,” tha Berisha, duke e cilësuar rezultatin si produkt të një sistemi të programuar për të mbajtur pushtetin në mënyrë të pandalshme.