Vendosni fjalën kyçe....

Berisha reagon për atentatin në Rinas: Ekzekutim në vendin më të sigurt, i pamundur pa bashkëpunimin e policisë



Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas atentatit të ndodhur sot në afërsi të aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, një nga emrat e njohur të botës së krimit, ndërsa u plagos agjenti i Mbikëqyrjes Policoreqë e shoqëronte.

Në një reagim në rrjetet sociale, Berisha e cilësoi ngjarjen si një ekzekutim publik të ndodhur në zonën “më të sigurt të Shqipërisë”, që sipas tij, “nuk mund të kishte ndodhur pa bashkëpunimin e ngushtë të policisë me autorët e vrasjes”.

“Miq, njëri nga banditët më të fortë të Milit të Partisë apo Emiliano Shullazit u ekzekutua sot publikisht para Komisariatit të Rinasit. Dani po vinte nga Spanja dhe pasi zbriti nga avioni ishte në makinë, i shoqëruar nga inspektori i shërbimit inteligjent të narko-policisë, shoferi i drejtorit të këtij shërbimi, Muçi Shaljani, i cili mbeti i plagosur rëndë,” shkruan Berisha.

Ai shtoi se vrasësit dogjën makinën në zonën e Halilit, por policia “çuditërisht nuk mundi të shkonte aty”, ndërsa kërkoi hetim të plotë mbi rolin e strukturave të policisë në këtë ngjarje.

Ngjarja ndodhi paraditen e sotme pranë aeroportit të Rinasit, ku autorët hapën zjarr ndaj automjetit në të cilin udhëtonte Dani, duke e lënë atë të vdekur në vend. Policia po vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.