Vendosni fjalën kyçe....

KQZ regjistron katër kandidatë për bashkitë e Vlorës dhe Beratit, refuzon kandidaturën e Gjergji Nikës



Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka njoftuar sot regjistrimin e katër kandidatëve për zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit në bashkitë e Vlorës dhe Beratit.

Në Vlorë do të garojnë Brunilda Mersini (Partia Socialiste) dhe Dionis Sota (i propozuar nga zgjedhësit), ndërsa në Berat Ervin Ceca (Partia Socialiste) dhe Pavlo Shkarpa (i propozuar nga zgjedhësit).

Ndërkohë, KQZ ka vendosur të mos regjistrojë kandidaturën e Gjergji Nikës për Bashkinë e Vlorës. Sipas njoftimit të Celibashit, dokumentacioni i dorëzuar nga Nika rezulton i paplotë, pasi mungon regjistrimi i Komitetit Nismëtar, i cili përgatit procesin për regjistrimin e një kandidati të pavarur.

Gjergji Nika ka paraqitur një ankesë, e cila do të shqyrtohet nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) në orën 19:00.

Në të njëjtën seancë, KQZ miratoi fletët e votimit dhe renditjen e kandidatëve, si dhe kohën e transmetimit në radiotelevizionin publik për fushatën zgjedhore të subjekteve politike.

Zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit do të zhvillohen në pesë bashki: Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë.