
Një gjykatë federale në Illinois ka bllokuar përkohësisht vendosjen e trupave të Gardës Kombëtare në rajonin e Çikagos, duke pezulluar për dy javë urdhrin e administratës së Donald Trump për dislokimin e tyre në disa qytete amerikane.
Vendimi i marrë të enjten u konsiderua si një fitore për zyrtarët demokratë të shtetit dhe qytetit, të cilët kundërshtuan ndërhyrjen federale, përcjell AP.
Gjykatësja arsyetoi se nuk kishte prova të mjaftueshme për ekzistencën e një “rreziku rebelimi” në Illinois gjatë fushatës së Trump për goditjen e emigracionit të paligjshëm.
Ndërkohë, të premten një numër i vogël trupash të Gardës Kombëtare mbërritën në Memphis, për të mbrojtur ndërtesat federale, sipas zyrtarëve amerikanë.
Debati për dërgimin e Gardës Kombëtare është bërë pjesë e një beteje të ashpër politike dhe ligjore, ndërsa administrata e Trump pretendon se kriminaliteti është në rritje në disa qytete të mëdha, diçka që statistikat nuk e mbështesin gjithmonë.
Në bazë të Aktit të Kryengritjes, presidenti mund të dërgojë ushtrinë aktive në shtetet që nuk arrijnë të ndalojnë një rebelim ose shkelje të ligjit federal. Por gjykatësja e Çikagos theksoi se situata aktuale nuk justifikon një ndërhyrje të tillë.