
Sigurimi i detyrueshëm për përgjegjësitë ndaj palëve të treta (TPL) solli më shumë se një miliard lekë fitime në llogarinë teknike të shoqërive të sigurimit vitin e kaluar.
Të dhënat e raportit të mbikëqyrjes nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se bilanci i llogarisë teknike për produktin e brendshëm TPL ishte pozitiv në vlerën e 1.03 miliardë lekëve ose rreth 10.5 milionë eurove. Megjithatë, fitimi nga ky produkt pësoi rënie me 35.6% krahasuar me vlerën rekord prej 1.61 miliardë lekësh të vitit 2023.
Efektin kryesor në rënien e fitimeve nga sigurimi TPL e ka dhënë rritja e dëmeve të paguara neto, me afërsisht 30% më shumë krahasuar me një vit më parë, për një shumë totale prej 3.77 miliardë lekësh. Raporti dëme-prime neto u rrit në 42%, nga 36.14% që kishte qenë në vitin 2023.
Ndërkohë, një efekt shtesë ka dhënë edhe rritja e shpenzimeve operative të lidhura me produktin. Ato arritën në 5.3 miliardë lekë, në rritje me 12.6% krahasuar me një vit më parë.
Shpenzimet operative vazhdojnë të kenë një vlerë ndjeshëm më të lartë krahasuar me shpenzimet për dëme.
Duke filluar nga 1 janari i këtij viti, ka nisur zbatimin rregullorja e AMF-së“Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”. Rregullorja parashikon se në përllogaritjen e primit të sigurimit, kompanitë duhet të zbatojnë disa faktorë kryesorë risku, si historiku i dëmeve, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit; fuqia motorike e mjetit; mosha e të siguruarit; eksperienca në drejtimin e mjetit motorik; përdorimi i mjetit nga një subjekt apo nga një individ; qarku i regjistrimit të mjetit; vjetërsia e mjetit.
Aplikimi i primeve të diferencuara mbi këta faktorë rreziku në tema mesatarë ka sjellë një rritje të çmimit të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve me 7%-8% krahasuar me një vit më parë. Shtrenjtimi i primit mesatar pritet të rrisë më tej fitimet e tregut të sigurimeve nga ky produkt.
Gjithnjë sipas të dhënave të AMF-së, edhe produkti tjetër i sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësi ndaj palëve të treta, kartoni jeshil, pësoi rënie të fitimeve vitin e kaluar. Rezultati teknik nga ky produkt zbriti në 234 milionë lekë, 49% më pak krahasuar me një vit më parë. Edhe në këtë rast, rënia erdhi paralelisht nga rritja e shpenzimeve neto për dëme dhe e shpenzimeve operative neto, të lidhura me produktin.
Kartoni Jeshil apo Çertifikata Ndërkombëtare e Sigurimit Motorrik mbulon të gjitha përgjegjësitë civile (dëmet materiale dhe shëndetësore), që mund të shkaktohen nga përdorimi i mjetit motorik jashtë vendit. Çdo drejtues i një mjeti me targa shqiptare duhet të pajiset detyrimisht me një policë sigurimi Karton Jeshil kur udhëton jashtë Shqipërisë.
Ndërkohë produkti tjetër i sigurimit të detyrueshëm motorik, sigurimi kufitar, vitin e kaluar solli fitime në vlerën e 157 milion lekëve, në rënie me 20% krahasuar me një vit më parë.
Sigurimet e detyrueshme motorike kanë një peshë shumë të lartë në strukturën e primeve të shkruara bruto në sigurimet e Jo-Jetës. Për vitin 2024, sigurimi i brendshëm TPL, Kartoni Jeshil dhe Polica Kufitare përbënin më shumë se 67% të primeve të shkruara bruto të këtij tregu. Edhe fitimi i këtyre produkteve ka një rëndësi përcaktuese në ecurinë e rezultatit total të tregut.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në total fitimi i tregut të sigurimeve vitin e kaluar arriti vlerën e 2.27 miliardë lekëve ose 23.1 milionë eurove. Krahasuar me një vit më parë, fitimi i siguruesve shqiptarë pësoi rënie me pothuajse 18%./Monitor