
Nga Eni Muça
Si është të ndërtosh një startup pa asnjë investim nga jashtë, në një nga ekosistemet më dinamike të Europës? Laert Bejtaj, një shqiptar që jeton në Paris prej gati dy dekadash, ia ka dalë me Bricks.ai – një platformë që po transformon mënyrën se si krijohen dokumentet e shitjes në kompani të mëdha si Allianz Partners apo Leboncoin.
Duke kombinuar aftësitë teknologjike me një ndjeshmëri reale për nevojat e terrenit, Laerti na tregon në këtë intervistë ekskluzive sesi mund të ndërtohet një biznes i qëndrueshëm, i orientuar drejt klientit dhe i gatshëm për t’u zgjeruar në tregje të reja, përfshirë edhe Shqipërinë.
Laert, si nisi rrugëtimi yt drejt sipërmarrjes dhe si lindi ideja për Bricks.ai?
Në eksperiencën time të parë profesionale pata fatin të punoja në një startup francez që kishte zhvilluar një teknologji për dixhitalizimin dhe shpërndarjen online të ofertave të punës. Kjo eksperiencë më dha mundësinë të shihja nga afër si ndërtohet një biznes teknologjik dhe gjithashtu të identifikoja vështirësitë apo nevojat reale që kishin ekipet e brendshme, veçanërisht ato të shitjeve dhe marketingut.
Ideja për Bricks lindi pikërisht nga një nevojë konkrete: shitësit kishin shumë pak kohë për të përgatitur prezantime të personalizuara, por kjo ishte thelbësore për suksesin në terren. Në të njëjtën kohë, si inxhinier, isha duke punuar në projekte që automatizonin krijimin e raporteve statistikore në formate të ngjashme me PowerPoint apo Word. Këto dy botë – nevoja në shitje dhe aftësia teknike për automatizim – u bashkuan natyrshëm në idenë për Bricks.ai: një teknologji për të rritur produktivitetin dhe koherencën në krijimin e dokumenteve të biznesit.
Çfarë të frymëzoi ta zhvillosh këtë startup pikërisht në Francë dhe jo në një treg tjetër?
Franca ka një ekosistem shumë mbështetës për startup-et, me rrjete mentorësh, programe akselerimi dhe një kulturë teknologjie në rritje të vazhdueshme. Jetoj në Paris prej afro 20 vitesh, këtu kam kryer studimet, kam ndërtuar jetën profesionale dhe krijuar rrjetin tim. Ishte logjike që rrugëtimi sipërmarrës të niste këtu.
Nga ana tjetër, tregu francez B2B është i madh, kërkues dhe i hapur ndaj inovacionit. Parisi ndërkohë është një nga 10 qytetet më të mira në botë për startup-e, përkrah San Franciskos, Londrës, Berlinit apo Tel Avivit. Sigurisht që kjo frymë dinamike ndihmon shumë në ndërtimin e një kompanie.

Si ka ndikuar ambienti inovativ i Station F në zhvillimin e kompanisë suaj?
Station F përfaqëson simbolin e një arritjeje të parë dhe një komunitet që të vendos në kontakt me njerëz që kanë të njëjtën energji për të ndërtuar. Fillimisht, të qenit aty të jep një formë legjitimiteti. Në përditshmëri, është një vend ku kupton dy të vërteta të rëndësishme: e para, që gjithçka është e mundur; dhe e dyta, që asgjë nuk të jepet gati.
Në vitin 2020, Bricks u përzgjodh në programin prestigjioz Future 40 – një njohje që na motivoi edhe më shumë për të vazhduar pa marrë fonde të jashtme. Sot, 8 vite pas hapjes së Station F, mund të them me bindje se është ende një terren eksperimentimi tepër frymëzues dhe një vend ku mëson se suksesi nuk varet vetëm nga forca e teknologjisë, por nga cilësia e marrëdhënieve njerëzore që e mbështesin atë çdo ditë.
Bricks.ai ofron një zgjidhje inovative për personalizimin e dokumenteve të shitjes. Si funksionon konkretisht teknologjia që qëndron pas produktit?
Bricks është një platformë që lehtëson bashkëpunimin midis ekipeve të marketingut dhe të shitjeve për krijimin e dokumenteve të personalizuara. Përmbajtja ndahet në module, dhe shitësit mund të ndërtojnë me pak klikime një dokument të personalizuar. Platforma më pas prodhon automatikisht një dokument të formatuar që respekton brand-in e kompanisë.
Cilat janë avantazhet që Bricks.ai i ofron ekipeve të shitjes dhe marketingut krahasuar me zgjidhjet tradicionale?
Me Bricks, mënyra e punës ndryshon rrënjësisht. Në vend që marketingu të shpërndajë një prezantim prej 100 slidësh, ata strukturojnë përmbajtjen në module. Shitësit mund të krijojnë prezantimet e tyre në pak sekonda. Për më tepër, Bricks ofron gjurmueshmëri – mund të shihni çfarë përdoret, nga kush dhe për çfarë klientësh.
Si e përdorni inteligjencën artificiale në platformën tuaj dhe si mendon se AI do të ndikojë në të ardhmen e SalesTech?
AI është gjithnjë e më shumë pjesë e ADN-së së Bricks. Ne e përdorim për të sugjeruar përmbajtje sipas sektorit të klientit, për organizimin optimal të moduleve dhe për të ndihmuar në përmirësimin e përmbajtjeve. Në të ardhmen, AI do të bëhet një “co-pilot” për shitësit, që ndihmon në analizën e tregut dhe trajnimin personal.
Kompania juaj është vetëfinancuar që nga fillimi. Si e menaxhuat këtë proces dhe cilat kanë qenë sfidat më të mëdha gjatë rrugës?
Vetëfinancimi ka qenë një zgjedhje strategjike, sepse donim të ruanim fokusin dhe pavarësinë. Kemi ndërtuar produktin fillestar me burime të brendshme dhe kemi dalë herët në treg për të marrë feedback real nga përdoruesit. Një nga sfidat më të mëdha ka qenë ruajtja e fokusit afatgjatë dhe qëndrueshmëria emocionale në një ekosistem gjithmonë në lëvizje.
Duke qenë se tashmë keni më shumë se 40 klientë B2B, si e keni ndërtuar besimin me markat e mëdha si Allianz Partners apo Leboncoin?
Që në fillim, kemi parë marrëdhënien me klientin si një shoqërim, jo vetëm si shitje. Suksesi te Bricks ndërtohet mbi cilësinë e produktit, përmbajtjes dhe marrëdhënieve njerëzore. I kushtojmë shumë rëndësi mënyrës se si integrohemi në mjedisin e klientit – duke dëgjuar, përshtatur dhe mbështetur ekipet në përdorimin konkret të platformës.
Si është të jesh një sipërmarrës shqiptar në një nga ekosistemet më dinamike të startup-eve në Europë, siç është Franca?
Të jesh sipërmarrës shqiptar në Francë është një përzierje sfide dhe force. Shqiptarët janë qëndrestarë dhe kjo është thelbësore në sipërmarrje. Unë përpiqem të ndërthur kodet shqiptare me ato franceze – kjo ndërthurje më ka ndihmuar të kuptoj më mirë njerëzit dhe të krijoj ura.
A sheh ndonjë mundësi për bashkëpunime me startup-e apo talente nga Shqipëria apo Ballkani?
Patjetër. Ka shumë talente në Shqipëri dhe rajon me përgatitje shumë të mirë. Jam mentor në disa projekte të Startup Albania dhe përpiqem të aktivizoj rrjetet që kam në Francë kur shoh produkte që ia vlejnë. Gjithçka nis nga një ide e qartë dhe një ofertë konkrete.

Cilat janë planet tuaja të ardhshme për Bricks.ai? A synoni zgjerim ndërkombëtar përtej Francës?
Po, Bricks ka kaluar tashmë fazën e “product-market fit” në Francë dhe tani jemi në fazën e scale-up. Objektivi është të bëhemi një nga liderët europianë në këtë fushë. Kemi kontakte me kompani në Irlandë dhe Zvicër dhe synojmë zgjerim të qëndrueshëm, përfshirë edhe Shqipërinë dhe Ballkanin.
Çfarë këshille do t’u jepje të rinjve shqiptarë që duan të nisin një startup, por ndihen të pasigurt për të hedhur hapin e parë?
U them që është thelbësore të besojnë në vlerën e asaj që krijojnë dhe të provojnë sa më shpejt nëse njerëzit janë të gatshëm të paguajnë për të. Askush nuk ndihet plotësisht “gati”, por nëse kanë pasion dhe një ide të qartë për hapat e parë, janë më gati nga sa mendojnë. Mjafton të fillojnë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Business Magazine Albania