
Ish-ministri rus i Transportit, Roman Starovoit, vrau veten të hënën pasi u shkarkua nga presidenti Vladimir Putin, kanë bërë të ditur autoritetet ruse.
Sipas mediave të kontrolluara nga Kremlini, Starovoit u gjet i vdekur me një plagë me armë zjarri në Odintsovo, pranë Moskës.
Zyrtarët thanë se besojnë se ka qenë vetëvrasje, shkruan Politico.
Putini e kishte shkarkuar Starovoitin më herët gjatë së hënës, pa dhënë një arsye zyrtare për largimin e tij, por aeroportet në të gjithë Rusinë janë përballur me vonesa të shumta, anulime dhe pasagjerë të bllokuar gjatë fundjavës si pasojë e sulmeve me dronë nga Ukraina.
Të dielën, një shpërthim në bordin e cisternës “Eco Wizard” në një port në rajonin e Leningradit shkaktoi një rrjedhje amoniaku, duke e përkeqësuar edhe më tej krizën që ka përfshirë sektorin e transportit në Rusi.
Starovoit ishte emëruar ministër i Transportit në maj të vitit 2024.
Para se të merrte këtë detyrë, ai kishte shërbyer për gati pesë vite si guvernator në detyrë dhe kryetar i rajonit të Kurskut, që kufizohet me Ukrainën.