
Partia e Lirisë ka kërkuar një hetim të pavarur ndërkombëtar mbi arrestimin e kryetarit të saj, Ilir Meta, duke e cilësuar si një “rrëmbim kriminal të motivuar politikisht” që, sipas tyre, nuk ka precedent as në vendet me regjime autoritare.
Sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi, deklaroi se ky akt i paprecedentë shkel rëndë të drejtat e njeriut dhe synon të eliminojë opozitën përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025.
Në një deklaratë për mediat, Blushi u shpreh se mënyra si u arrestua Meta më 21 tetor 2024, është një dhunim i rëndë i lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe i ngjashëm me skenarët më të errët autokratikë.
“Nuk ekziston më asnjë dyshim: rrëmbimi kriminal i Ilir Metës është i motivuar politikisht, i orkestruar në mënyrë kriminale nga një regjim që po përpiqet të eliminojë opozitën dhe t’i mbyllë gojën çdo zëri kritik përpara zgjedhjeve. As regjimet autoritare nuk i kanë lejuar vetes akte të tilla. As regjimi i Vladimir Putinit nuk e ka arrestuar Aleksei Navalnyn në këtë mënyrë, në mënyrë kaq brutale, barbare dhe të poshtër”, deklaroi Blushi.
Ai theksoi se Meta u rrëmbye në mes të ditës nga forca të armatosura e të maskuara, pa urdhër-arresti dhe pa asnjë procedurë ligjore, duke u tërhequr zvarrë dhe duke u dhunuar publikisht. Sipas Blushit, kjo shkel hapur nenin 25 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenet 3 dhe 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Ai solli si shembull vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në çështjen “Navalny kundër Rusisë”, ku u cilësua se ndalime të tilla politike janë të papranueshme dhe në shkelje të hapur të të drejtave themelore.
Blushi kritikoi ashpër autoritetet shqiptare, duke akuzuar Policinë e Shtetit për dhunim dhe manipulim të fakteve, ndërsa SPAK dhe gjykatat i cilësoi të kapura e të heshtura përballë këtij akti.
“Ky nuk ishte një arrestim – ky ishte një rrëmbim i pastër politik dhe i paprecedent në një vend që pretendon të jetë demokraci dhe kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, theksoi ai.
Blushi kërkoi ndërhyrjen urgjente të Gjykatës Kushtetuese për të konstatuar shkeljet, një hetim të pavarur ndërkombëtar mbi mënyrën e arrestimit si dhe reagim të institucioneve evropiane për atë që e cilësoi si “akt terrori shtetëror politik”.
“Ne nuk do të heshtim. Ne nuk do të frikësohemi. Ne nuk do të ndalemi. Kjo është një betejë për demokracinë, për dinjitetin njerëzor, për lirinë e të gjithë shqiptarëve dhe për të ardhmen evropiane të Shqipërisë”, përfundoi Blushi.