Vendosni fjalën kyçe....

O Chari o Chari


Nga Auron Tare

E di që po dal jashtë fushës ku ndihem mjaftueshëm i lexuar dhe po i futem një teme që i përket dikujt tjetër. Por shpesh hedhja në sprova dhe fusha të panjohura ka kënaqësinë e vet. Sidomos kur edhe profesionistët e gjuhësisë rreken për të gjetur një hamendësim të pranueshëm. Dukshëm deri më sot pa sukses. 

Gjatë periudhës së Covid-it, pata rastin të jem pjesë e një delegacioni të UNESCO-s në Algjeri. Pasi mbaruam punë, ndaluam fare rastësisht  në Tunizi – një ndalesë e paplanifikuar, por që shpejt u shndërrua në një tjetër derë kurioziteti. Në Algjeri, gjatë qëndrimit tonë, kisha pyetur shpesh për arnautët e Magrebit, për gjurmët që mund të kishin lënë aty shqiptarët e shpërngulur dikur. Kjo kërshëri më shoqëroi edhe në Tunizi, ndaj nuk hezitova të pyes edhe shoqëruesit tanë vendas.

A do të kishte ndonjë kujtim, ndonjë emër, ndonjë histori që lidhej me ta? Gjurmë të dukshme, si ato në Algjeri, nuk vëreheshin, por – siç më shpjeguan – në varrezat otomane të Jallazit kishte shumë emra arnautësh. Këta të fundit pjesë e ushtarëve otomanë që kishin  vendosur të qëndronin në atë që më vonë do të quhej Tunizia moderne.  Më folën dhe për një piktor shumë të njohur tunizian Jaup Arnauti, i cili me shumë gjasë duhej të ishte me prejardhje shqiptare.

Edhe pse qëndrimi ishte shumë i shkurtër, nga Tunizia nuk mund të largohesh pa parë koleksionin e artit të mozaikëve romakë. Gjatë periudhës së Perandorisë Romake, Afrika e Veriut ka prodhuar jo vetëm numrin më të madh të veprave të artit të mozaikëve, por edhe cilësisht më lart se ato në pjesën perëndimore të perandorisë.

Në Muzeumin Arkeologjik të Sousse dhe në ish-Pallatin e Bejlerbeut  të Tunizit janë të mbledhur pjesa më e madhe e këtyre mozaikëve. Me interesanti për mua ishte  padyshim Mozaiku i Virgjilit.  Një vepër e rrallë kjo ku poeti i parë latin Virgjili, i cili lartësoi në pavdekësi historinë e Butrintit Trojan, është ulur me veprën e tij në dorë. Në krah ka Klean, Muzen e Historisë dhe në anën tjetër Melpomenin, Muzen e Tragjedisë.

Poeti romak Virgjili

Përveç Mozaikut të Virgjilit, diçka që më tërhoqi vëmendjen në sallën e madhe të Sousses ishte një tjetër mozaik, modest për nga pamja. Sipas ciceronit tonë, ky mozaik ishte zbuluar rastësisht në rrënojat e një vile romake në fshatin e sotëm Bilbane. Mozaiku kishte në mes një figurë FALLIKE (organi mashkullor) dhe dy simbole të organit femëror me një mbishkrim latin “O CHARI”. 

Përfaqëson një figurë kundër syrit të keq – na shpjegoi shoqëruesi, një arkeolog vendas. Mirëpo, pasi na e lexoi dy-tre herë, unë fillova të kruaja kokën, duke u përpjekur të kuptoja më mirë. Mënyra se si e shqiptonte ai, të jepte përshtypjen sikur ciceroni ynë po fliste shqip (shën. ynë: CH në latinisht shqiptohet K). O K…, O  K…   vazhdonte ciceroni – është gjithashtu edhe një shprehje afrodiziake.  Vjen nga Charizma  dhe nënkupton  një “dhuratë nga Zoti”.

Që simboli në mozaik ishte një dhuratë nga Zoti, këtë nuk mund ta kundërshtonte njeri. Por, shpjegimi i mbishkrimit me karizmën sikur nuk ma mbushi mendjen. Prita sa të largohej pak më tutje pjesa femërore e grupit tonë të vogël dhe fillova t’ i shpjegoj ciceronit se çfarë kuptimi merrte ky mbishkrim në gjuhën shqipe. – Shtangu. – Bën shumë sens, – më tha i çuditur. – Si ka mundësi? – Nuk e di, – i them, ndërsa vështroja mozaikun modest të lënë në një cep të sallës.

 “O CHARI”, “O CHARI”, kujt vallë i është dedikuar ky mbishkrim latin nga ana e porositësit të këtij mozaiku?! Mos ndoshta ndonjë zonjë romane në muzgun e jetës kujtonte rininë e saj me këtë simbol “dhuratë e Zotit”?! Gjithsesi, çfarëdo arsye të kishte pasur hartimi i kësaj vepre, mbetet shumë interesant fakti që mbishkrimi  “O CHARI”  i dedikohej qartësisht figurës fallike.

Duke u përpjekur t’i jap një kuptim të saktë origjinës së fjalës, më lindën shumë pikëpyetje. Por a ishte kjo fjalë me origjine latine apo ilire?  Kurioz, fillova t’u shkruaj disa miqve të mi nga fusha e letrave, me shpresë se etimologjia kishte dhënë një shpjegim për prejardhjen e emërtimit të organit më të rëndësishëm për shqiptarët. Por mbeta thellësisht i zhgënjyer.

Dy nga gjuhëtarët tanë të njohur më shkruanin se në dijeninë e tyre emri i organit tonë mashkullor K…ishte me origjinë cigane. Cigane?  Si ka mundësi? –  pyeta. – Po si ka mundësi që atë për të cilin jemi mburrur prej shekujsh ta paskemi marrë nga ciganët? Me këto dyshime vazhdova t’u shkruaj të tjerë personazheve të letrave.

Fjalori ynë e përshkruan këtë fjalë me prejardhje cigane, më shkruante përsëri një tjetër specialist i fushës. “Po Çabej e ka përcaktuar këtë fjalë me origjinë cigane. Nëse do ishte në latinisht fjala CHARI do te kishte kuptimin ‘njerëz të dashur’. Është një formë e emërores shumës”.  Pra fjala nuk është latine? –  pyeta. – Jo, – më erdhi përgjigjia.

Me këtë përgjigjje iu drejtova një gjuhëtari tjetër shumë të njohur, duke i përcjellë dhe imazhin e mozaikut në Tunizi bashkë me habinë time mbi origjinën e krenarisë mashkullore shqiptare.

“Kjo fjalë sot del si emër mashkullor, po ka qenë asnjanës, siç del nga shprehjet karët e cimbidhit, na rrofsh karët, vari karët që përdoren në Jug e në Veri. Te Budi del me ë në fund karëtë. E kanë edhe arbëreshët e Greqisë e të Italisë, që kanë ikur para shfaqjes së jevgjitëve në Shqipëri e Ballkan.

Pra, është fjalë e marrë prej tyre (arbereshëve shën. ynë). Emrat asnjanës janë shumë të vjetër në shqip dhe kjo të bën të besosh fort se është fjalë e shqipes, që në fillim ka pasur atë trajtë që del te Buzuku. Për këtë mbishkrimin “O cha ri” unë dyshoj të jetë ilirisht,” mu përgjigj ai.

Përgjigjja e dhënë nuk më befasoi pasi në mënyrë të mjegullt kisha një lloj shprese se Mozaiku i Tunizisë mund të ishte shkruar nga ndonjë ilir i humbur shkretetirave të Afrikës.