Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, tha se Irani ka paralajmëruar se një sulm izraelit ndaj objekteve të tij bërthamore mund ta shtyjë vendin drejt krijimit të armëve bërthamore.
“Sulmi mund të forcojë vendosmërinë e Iranit për të ndjekur programin bërthamor ushtarak ose për t’u tërhequr nga Traktati për Mos-përhapjen e Armëve Bërthamore,” tha Grossi në një intervistë për The Jerusalem Post.
Ai shtoi se Irani ka pasur nivele shumë të larta të përpunimit të uraniumit – deri në 60%, duke u afruar pranë materialit të nevojshëm për armë, që kërkon 90% pasurim.
Megjithatë, Grossi theksoi se kjo nuk do të thotë se Irani ka aftësinë e plotë për të ndërtuar apo përdorur një armë bërthamore, pasi ende nevojiten teknologji dhe zhvillime të tjera.
Grossi gjithashtu shprehu dyshime se Izraeli mund të shkatërrojë me sukses objektet e fshehura bërthamore iraniane, të cilat janë shumë të mbrojtura dhe të vendosura në vende të thella, siç janë bazat në Fordow dhe Natanz.
Duke folur për negociatat e mundshme për një marrëveshje të re bërthamore midis SHBA-së dhe Iranit, Grossi tha se kjo është sfidë e madhe për shkak të përparimit të programit iranian, por nuk e përjashtoi mundësinë e një marrëveshjeje të re me mbikëqyrje strikte nga IAEA.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e transparencës dhe nevojën që Irani t’i japë agjencisë akses në të gjitha objektet për të hequr dyshimet.