Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet një 24-vjeçar që kultivoi 223 fidanë kanabis në Fier


Një 24-vjeçar nga Cakrani, Renaldo Muskaj, është arrestuar nga Policia e Fierit pas zbulimit të një parcele me 223 fidanë kanabis, të mbjella në zonën e njohur si “Kodra e Dafinave”, në fshatin Gjorgoz. Kontrolli u bë nga toka dhe ajri, duke përdorur edhe dronë, si pjesë e operacionit kombëtar “Koordinata”.

Fidanët e zbuluar u asgjësuan me djegie, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë. Po ashtu, në Portëz u gjetën edhe 90 fidanë të tjerë kanabis, të cilët u shkatërruan.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të operacionit kombëtar të koduar “Koordinata”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, gjatë kontrollit të territorit, nga toka dhe nga ajri, duke përdorur dronë, në vendin e quajtur “Kodra e dafinave”, në fshatin Gjorgoz, kanë konstatuar një parcelë në të cilën ishin kultivuar 223 fidanë narkotikë kanabis.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier kanë organizuar punën dhe kanë vënë në pranga autorin e dyshuar të rastit, shtetasin R. M., 24 vjeç, banues në Cakran.

Fidanët u asgjësuan nëpërmjet djegies.

Gjithashtu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier gjetën dhe asgjësuan 90 fidanë narkotikë cannabis sativa, në territorin e njësisë administrative Portëz.

Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorit/ve të këtij rasti kultivimi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.