Vendosni fjalën kyçe....

Dallimi mes sektorëve në pagën mesatare në Kosovë, kush paguhet më shumë


Instituti GAP ka publikuar pagën mesatare në disa prej sektorëve të punës në Kosovë, për vitin 2024.

Mes tjerash, aty shihen dallimet edhe mes gjinisë.

Sektori më i paguar shihet të jetë ai që ka të bëjë me furnizimin me rrymë, gaz, avull dhe ajër.

Punonjësit e këtij sektori marrin pagë mesatare rreth 704 euro për gjininë mashkullore, dhe 703 euro për gjininë femërore.

Më pak i paguari, është ai i akomodimit dhe shërbimit ushqimor, me vetëm 345 euro në muaj.

Rreth 330 mijë shtetas të Kosovës janë të deklaruar si të punësuar, sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës për vitin 2025. Prej tyre, shumica janë burra.

Përderisa pagat janë rritur për të gjithë me kalimin e viteve, kjo rritje vërehet pak më shumë te burrat.

Aktualisht, për çdo 1 euro të fituar nga burrat në Kosovë, gratë fitojnë 88 centë.

Nga të gjitha grupmoshat, në Kosovë më së shumti paguhen ata nga 45 deri në 54 vjeç, rreth 350 euro më shumë sesa të punësuarit mbi 65 vjeç.

Edhe pse në dy vjetët e fundit ka rënë numri total i të punësuarve, ende më aktivët në tregun e punës janë të rinjtë në grupmoshën nga 25 deri në 34 vjeç.

Kosova ka një popullsi të re, me një moshë mesatare rreth 35 vjeçe.

Numri i të rinjve nga mosha 15 deri në 24 vjeç, sipas regjistrimit të popullsisë të mbajtur vitin e kaluar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), është mbi 256 mijë.

Por, kjo kategori është më e prekura nga papunësia.

Në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar, shkalla e papunësisë te të rinjtë (15-24 vjeç), ishte 21.2 për qind, ose 5.0 për qind më e lartë se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, kur ishte 16.2%./Monitor