Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalimin përmbyllës të fushatës në Tiranë, i drejtoi një mesazh të veçantë të rinjve, duke theksuar se vota më 11 maj është një votë për dinjitetin dhe të ardhmen e tyre.
“Më 11 maj, vota është edhe për dinjitetin tuaj. Ju jeni të rinj dinjitoz,” u shpreh Berisha, duke kritikuar ofertat e qeverisë aktuale për rininë. Ai ironizoi kryeministrin Edi Rama, duke thënë se në mandatin e katërt ai u ofron të rinjve “2 kg farë kungulli”, çka sipas tij është një fyerje për të rinjtë shqiptarë.
Berisha u angazhua se nëse PD vjen në pushtet, do të shpallë një “pakt për rininë”, që do të përfshijë programin “Start-Up Albania”, mbështetje për krijimtari në fusha të ndryshme dhe mundësi konkrete për të rinjtë pas diplomimit.
Ai premtoi gjithashtu mbështetje financiare për çiftet e reja: “Sot ju ofrojnë një apartament për 108 vjet punë. Ne ju garantojmë që çdo çift i ri do të ketë një çati mbi kokë. 30 mijë euro granti për të mbuluar interesat e kredisë për strehim.”
Fjalimi i Berishës u mbajt në kuadër të mbylljes së fushatës elektorale të PD-së, ndërsa vendi i drejtohet zgjedhjeve parlamentare më 11 maj.