Vendosni fjalën kyçe....

Trump paralajmëron tarifa 100% për filmat e huaj: “Industria amerikane po vdes shumë shpejt”


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se do të vendosë tarifa 100% për filmat e prodhuar jashtë vendit, në kuadër të përshkallëzimit të mosmarrëveshjeve tregtare me vende të tjera.

Ai pretendon se industria amerikane e filmit po përjeton një “vdekje shumë të shpejtë”, duke akuzuar shtetet e huaja për një “përpjekje të qëllimshme” për të tërhequr producentët me stimuj financiarë.

“Filmat janë gjithashtu mesazh dhe propagandë! DUAM FILMA TË PRODHUAR NË AMERIKË, SËRISH!”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social, duke e cilësuar situatën si një “kërcënim për sigurinë kombëtare”.

Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, reagoi shkurt: “Po merremi me këtë”. Megjithatë, detajet rreth masës së re mbeten të paqarta, sipas BBC.

Nuk dihet nëse tarifat do të aplikohen për kompanitë amerikane që xhirojnë jashtë vendit – siç kanë bërë kohët e fundit filma si Deadpool & Wolverine, Wicked dhe Gladiator II – apo vetëm për prodhimet krejtësisht të huaja.

Po ashtu, mbetet e paqartë nëse masa do të përfshijë filmat në platformat online si Netflix apo vetëm ato në kinema, dhe si do të llogariten tarifat.

Themeluesi i zinxhirit të kinemave Vue në Evropë, Timothy Richards, ngriti dyshime mbi mënyrën se si do të përcaktohet një film amerikan: “Është origjina e financimit? Skenari? Regjisori? Aktorët? Apo vendi i xhirimit?”

Richards theksoi gjithashtu se kostoja për të xhiruar në Kaliforninë Jugore është rritur ndjeshëm, duke nxitur producentët të zhvendosen drejt vendeve si Britania, ku gjejnë më shumë stimuj dhe kosto më të ulëta. Ai shtoi se Britania ofron gjithashtu një fuqi punëtore me përvojë dhe të kualifikuar në industrinë e filmit.

Ndërkohë, sindikata britanike e medias Bectu paralajmëroi se tarifat e propozuara mund të kenë pasoja shkatërruese për sektorin, i cili po përpiqet të rikuperohet nga pandemia dhe një ngadalësim i fundit.

Kryetarja e Bectu-së, Philippa Childs, u shpreh: “Qeveria duhet të reagojë me shpejtësi për të mbrojtur këtë sektor jetik dhe për të mbështetur mijëra punonjës të pavarur që e përbëjnë atë”.

Departamenti britanik për Kulturë, Media dhe Sport, Instituti Britanik i Filmit dhe Shoqata e Prodhuesve të Filmave në SHBA, që përfaqëson pesë studiot kryesore amerikane, nuk kanë reaguar ende.

Pavarësisht sfidave, SHBA mbetet një nga qendrat më të mëdha të prodhimit të filmave në botë. Sipas firmës hulumtuese ProdPro, investimet në industrinë e filmit në SHBA arritën në 14.54 miliardë dollarë vitin e kaluar – megjithëse kjo shifër shënon një rënie prej 26% krahasuar me 2022.

Kritiku i filmit në NPR Radio, Eric Deggans, paralajmëroi gjithashtu se tarifat mund të kenë efekt të kundërt: “Vendet e tjera mund të vendosin tarifa për filmat amerikanë, duke e bërë më të vështirë për ta të gjenerojnë fitime jashtë vendit. Kjo mund të jetë më shumë dëm sesa dobi për industrinë amerikane.”