Agron Shehaj tha nga Kavaja se forca politike që drejton është një projekt afatgjatë ndërsa theksoi se partitë e mëdha nuk do i ndalin sulmet pasi e ndjejnë rrezikun.
Kreu i Partisë Mundësia theksoi se vendi ka ngecur mbrapa për shkak të keqqeverisjes.
“Do vazhdojnë të na sulmojnë se ne jemi rreziku për ta, sepse ne duam një Shqipëri ndryshe. Ne jemi të vetmit që flasim për ekonominë, dhe themi që po nuk u rrit ekonomia, nuk mund të pasurohet Shqipëria. Jemi të vetmit që nuk premtojmë qiqra në hell që do i bëjmë shqiptarët të pasur. Jo mor jo, nuk do i pasurojë qeveria shqiptarët, shqiptarët do pasurohen vetë. Kjo është e vërteta. Dalin e tregojnë arritjet. Që Shqipëria nuk është ajo e ’91-shit, nuk është meritë e qeverisë, është puna sipërmarrësve të ndershëm. Nëse shqiptarët nuk kanë bërë më shumë, është faji i qeverive dhe pushtetit që i ka penguar të bënin më shumë, dhe janë detyruar të ikin nga Shqipëria. Ne jemi të vetmit që flasim për një Shqipëri ku mund t’ia dalësh me punë të ndershme, sepse vijmë nga puna dhe e dimë çfarë do të thotë”, tha Shehaj.
Ai nënvizoi se sulmet ndaj tij dhe partisë Mundësia vijnë për shkak se ai kërkon ndryshimin dhe jo thjesht rotacionin.
“Siç e dini, kemi filluar t’i bezdisim, nga fushata jonë, nga mesazhi jonë. Kam thënë dhe kemi thënë të gjithë bashkë një gjë shumë të thjeshtë. Nuk duam rotacionin politik, duam ndryshimin. Ne jemi partia që përfaqëson të gjithë ata që nuk kënaqen vetëm me rotacionin politik. Ne duam ndryshimin, prandaj jemi këtu. Kjo është bindja jonë. Siç thotë çdo sondazh, ne jemi qartësisht parti e parë mes partive të reja, me një diferencë të madhe nga partitë e tjera. Tirana është shumë e rëndësishme, pasi në qarkun e Tiranës do marrim numrin më të madh të deputetëve dhe nga këtu do fillojë ndryshimi”, tha Shehaj.