Të paktën 148 persona janë konfirmuar të vdekur në Republikën Demokratike të Kongos pasi një varkë prej druri me motor u përfshi nga flakët dhe më pas u përmbyt, raporton Reuters.
Ngjarja ndodhi të martën në lumin Kongo, në rajonin veriperëndimor të vendit, kur mjeti lundrues që transportonte rreth 500 pasagjerë – përfshirë gra dhe fëmijë – u përmbys në afërsi të qytetit Mbandaka. Varka kishte nisur udhëtimin nga porti i Matankumu me destinacion territorin Bolomba.
Zyrtarët lokalë thonë se qindra persona të tjerë konsiderohen ende të zhdukur. Fillimisht, numri i viktimave ishte raportuar si 50.
Rreth 100 të mbijetuar janë strehuar në kushte të improvizuara në bashkinë lokale, ndërsa ata me djegie të rënda janë dërguar në spitalet e zonës.
Sipas komisionerit të lumit, Compétent Loyoko, zjarri nisi si pasojë e gatimit nga një grua në bordin e mjetit lundrues HB Kongolo. Shumë prej viktimave, përfshirë gra dhe fëmijë, humbën jetën pasi u hodhën në ujë pa ditur not.
Aksidentet me varka janë të shpeshta në Kongo, ku mjetet prej druri, shpeshherë të vjetruara dhe të mbingarkuara përtej kapacitetit, janë forma kryesore e transportit mes fshatrave.
Vetëm në vitin 2024, të paktën 78 persona humbën jetën në liqenin Kivu, në lindje të Kongos, pasi një varkë me 278 pasagjerë u përmbys. Në një tjetër incident në dhjetor, 22 persona vdiqën pasi një varkë u mbyt në pjesën perëndimore të vendit.