
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj i është përgjigjur akuzës së Sali Berishës se ka vjedhur databazën e PD-së, duke deklaruar se databazën që PD përdor sot ia ka dhënë ai.
Sipas Shehajt, në çarjen e Partisë Demokratike, kur Lulzim Basha mori vulën e partisë dhe bazën e të dhënave, ishte vetë ai që i dha një databazë Rithemelimit.
Shehaj thotë se me databazën që i ka dhënë, Rithemelimi e ka përdorur për të organizuar Kuvendin e 11 dhjetorit në stadium dhe vazhdon ta përdorë edhe sot.
Postimi:
“Kush më njeh e di shumë mirë që unë nuk vjedh. Kam krijuar nga hiçi kompani në Shqipëri dhe jasht Shqipërisë, pa tendera, pa lidhje politike, pa ndihmën e shtetit. Kam krijuar databaza, platforma. Kam investuar në teknologji dhe kështu i kam rritur bizneset e mia. Por ndoshta doktor Berisha nuk e mban mend, por kur mbeti pa parti, pa vulë, pa asnjë lloj informacioni, isha unë që i dhashë databazën. Dhe me atë databazë kanë bërë Kuvendin e famshëm të stadiumit. Besoj se një faleminderit do të kishte mjaftuar.” – u shpreh Shehaj në video-reagimin e tij në rrjete sociale.