Vendosni fjalën kyçe....

Historia e panjohur e sterilizimit në Suedi


Nga Alias Erl Kodra

Para pak më shumë se një vit më parë – pasi kam disa vite që jetoj në Suedi – zbulova një të vërtetë rrënqethëse për vendin ku kisha zgjedhur të jetoj; që është nga ato lloj të vërtetash që të tundin drejtëpeshimin.

Historia është kjo:
Francis Galton (16 shkurt 1822 – 17 janar 1911) ishte një polimatist britanik dhe kushuri i Charles Darvin. Ai besonte se shkenca mund të arrijë të përsosë rracën njerëzore përmes përzgjedhjes gjenetike. Ai hodhi idenë se shtresat e varfëra të popullsisë dhe të sëmurët nuk duhet të lejoheshin të lindnin fëmijë. Idetë eugjenike njohën një përhapje të gjerë në fillim të shekullit të XX-të, në Europë dhe SHBA.

Gjermania e Hitlerit e praktikoi direkt dhe në mënyrën më brutale, por ndërkohë, një vend tjetër në Europë po e praktikonte në heshtje.

Ai vend ishte Suedia.

Në vitin 1922 u themelua Instituti Shtetëror i Biologjisë Racore në Uppsala (Statens institut för rasbiologi) dhe ishte një nga institutet e para të këtij lloji në botë. Herman Lundborg, një profesor dhe pionier i eugjenikës në Suedi ishte drejtori i parë i institutit. Instituti promovoi idetë e eugjenikës, duke përqendruar studimet e tij në klasifikimin e “cilësive racore” për të identifikuar dhe përmirësuar trashëgiminë gjenetike të popullatës suedeze.

Ligji i parë për sterilizimin e detyruar në Suedi u miratua në vitin 1934, vit që shënon edhe fillimin e sterilizimeve masive të atyre individëve që vlerësoheshin me “defekte të trashëgueshme” – përfshirë ata me probleme mendore ose fizike.

Ky ligj u zgjerua më tej në vitin 1941 për të përfshirë raste të tjera, si individët që konsideroheshin me “sjellje antisociale” ose që thjesht kishin cilësi që nuk përputheshin me normat e shoqërisë.

Programi i sterilizimit zgjati deri në vitin 1976. Përgjatë këtyre viteve vlerësohet se Suedia ka sterilizuar 63,000 njerëz, burra dhe gra, djem dhe vajza të reja, të gjithë në moshë riprodhuese.

Sterilizimi i detyruar praktikohej me miratimin e autoriteteve mjekësore dhe administrative, si edhe me mbikëqyrjen e institucioneve shtetërore si Instituti Shtetëror i Biologjisë Racore.

Individët që përzgjidheshin për sterilizim identifikoheshin nga punonjësit socialë, mjekët, apo zyrtarë të tjerë publikë, të cilët i raportonin ata që konsideroheshin me “defekte” mendore, fizike, apo me “sjellje antisociale.

” Vendimi për sterilizim miratohej nga komitete speciale mjekësore dhe ligjore, të cilat i jepnin të drejtën shtetit të ndërhynte për të kufizuar riprodhimin e këtyre individëve në emër të “mirëqenies publike”​.

Në aspektin mjekësor, sterilizimi i grave kryhej zakonisht me anë të ndërhyrjeve kirurgjikale që përfshinin heqjen ose lidhjen e tubave fallopiane, ndërsa tek burrat aplikohej vazektomia, një procedurë që përfshinte prerjen dhe lidhjen e kanaleve që transportojnë spermën.

Kjo procedurë për burrat shpesh shkaktonte dhimbje të madhe dhe përjetohej si një ndërhyrje tepër poshtëruese dhe depersonalizuese.

Shumë individë, veçanërisht burrat, raportuan se ndiheshin të traumatizuar dhe të zhveshur nga dinjiteti personal pas kësaj ndërhyrjeje të detyruar, që u ndërmerrte të drejtën për të pasur fëmijë dhe për të krijuar familje.

Praktikat e sterilizimit të detyruar shpesh nuk informoheshin ose aprovoheshin nga individët, dhe shpesh ato bëheshin në kushte të një presioni të madh, ku njerëzit kërcënoheshin përmes dhunës sociale ose mbylleshin me forcë në institucione rehabilituese (çmendina).

Pasojat e këtyre mizorive ishin të tmerrshme; me qindra njerëz, burra, gra, djem dhe vajza kryen vetvrasje, ose u mbyllën nëpër qendra rehabilituese – një formë tjetër kjo e krimit shtetëror.

Në shumë raste, individët e sterilizuar kryen vetvrasje, të dëshpëruar dhe të turpëruar se kishin humbur aftësinë për të lënë pasardhës. Përvoja e tmerrshme përmes së cilës kishin kaluar, kryesisht për burrat, ishte e papërballueshme.

Imagjinoni pak, se këto mizori kanë ndodhur në vendin që e propagandon veten si demokracia më e kulluar në botë. Por ironia nuk përfundon këtu sepse promovuesja dhe zbatuesja e sterilizimeve në Suedi ishte Partia Socialdemokrate. Ironikisht, vetëm komunistët suedez e kanë kundërshtuar këtë praktikë tmerri. Të gjitha partitë e tjera suedeze e kanë mbështetur.

Në vitin 1990 qeveria suedeze kërkoi falje dhe dha një dëmshpërblim prej rreth 15,000 USD për individët e mbijetuar. Deri tani rreth 3500 individë kanë marrë dëmshpërblimet, ndërsa mijra të tjerë as që u paraqitën për të tërhequr paratë për shkak të stigmës dhe turpit.

E solla këtë histori të jashtëzakonshme, sepse edhe sot e kësaj ditë kjo është një temë tabu në Suedi. Asnjë media, asnjë gazetar, asnjë intelektual, asnjë shkrimtar, poet ose artist nuk e ka ngritur këtë çështje.

Edhe sot e kësaj dite autoritetet, mediat dhe shoqëria sillet sikur kjo histori nuk ka të bëjë fare me Suedinë. Kur ndonjëherë pyes ndonjë suedez rreth kësaj historie, ata flasin si për një gjë të shkuar; që i takon së kaluarës së largët, sa të mbushet mendja se po flasim për mesjetën e hershme. Në fakt bëhet fjalë për vitet 1934 – 1976.

Ndonjëri edhe skuqet nga turpi, por shumica nuk e prishin fare terezinë. Për suedezët, shteti ka gjithmon të drejtë.

Foto 2: Maj-Britt (majtas) me vëllezërit dhe motrat e saj, viktima të sterilizimeve.”