Vendosni fjalën kyçe....

Kievi mund të zhvillojë bisedime paqeje me Moskën këtë vit – Diplomati


Ukraina është ende e interesuar në mbajtjen e një “samiti paqeje” që do përfshijë Rusinë deri në fund të këtij viti, tha të mërkurën i dërguari i Kievit në Ankara.

Zyra e presidentit ukrainas Zelensky tha këtë javë se ka anuluar konferencën e planifikuar për nëntor, në favor të një serie “konferencash” me mbështetësit perëndimorë të Ukrainës. Megjithatë sipas ambasadorit Vasily Bodnar, Kievi ende dëshiron bisedime, por jo të drejtpërdrejta.

“Një nga qëllimet më të rëndësishme të këtij samiti është të arrihet një paqe e drejtë në Ukrainë”, tha Bodnar në një konferencë në kryeqytetin turk të mërkurën, sipas Reuters.

“Shpresojmë ta mbajmë këtë samit deri në fund të vitit. Nuk po flasim këtu për një format në të cilin Ukraina dhe Rusia ulen përballë njëra-tjetrës dhe Ukraina dëgjon kërkesat e Rusisë”, shtoi Bodnar.

“Ajo që ne shohim tani është kjo: komuniteti ndërkombëtar, së bashku me Ukrainën, do ulen dhe do krijojnë një listë se çfarë hapash mund të ndërmerren për një paqe të drejtë në Ukrainë, dhe ata do diskutojnë se çfarë lloj kërkesash duhet t’i drejtohen Rusisë bazuar në atë listë.”

Samiti i parashikuar nuk do ishte “një takim i drejtpërdrejtë dypalësh”, shpjegoi ai, por një format në të cilin bisedimet do mbaheshin nëpërmjet palëve të treta.

Sipas Bodnar, Turqia do ishte një pjesëmarrëse e rëndësishme në konferencë, duke pasur parasysh përvojën e saj në ndërmjetësimin e konflikteve. Ankaraja ka kërkuar të ruajë lidhjet me Moskën dhe Kievin gjatë luftës që u ndez në shkurt 2022 pasi Rusia pushtoi Ukrainën.

Një numër vendesh janë ofruar të ndërmjetësojnë midis Rusisë dhe Ukrainës, por pa shumë sukses. Kievi ka vijuar të këmbëngulë në “formulën e paqes” të Zelenskyt, një listë me dhjetë pika.

Rusia ka hedhur poshtë çdo diskutim sipas kësaj formule të cilën e ka cilësuar të kotë dhe të pakuptimtë.