Kompania Google humbi të martën apelimin në nivelin më të lartë gjyqësor të Bashkimit Evropian ndaj gjobës prej 2.7 miliardë dollarë të vendosur nga Komisioni Evropian. Kompania ishte ndëshkuar për shkak të avantazhit të paligjshëm që u jep rekomandimeve të saj për klientët që dëshirojnë të blejnë nëpërmjet internetit.
Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian (CJEU) mbajti në fuqi një vendim të një gjykate më të ulët në mbështetje të masës së marrë nga Komisioni Evropian, që funksionon si organi kryesor anti-monopol i unionit të përbërë nga 27 vende.
Komisioni Evropian pati ndëshkuar kompaninë gjigande të teknologjisë në vitin 2017 për shkak të praktikës së padrejtë të orientimit të vizitorëve drejt shërbimit të saj të blerjeve Google Shopping, duke dëmtuar kështu konkurentët. Kjo është një ndër tre gjobat prej disa miliarda dollarësh që komisioni i ka vendosur ndaj kompanisë Google gjatë dekadës së fundit, ndërsa ka forcuar masat në sektorin e teknologjisë së informacionit.
“Jemi të zhgënjyer me vendimin e Gjykatës, që lidhet vetëm me një pjesë të caktuar të fakteve”, u shpreh nëpërmjet një deklarate kompania Google.
Kompania thotë se ka bërë ndryshimet e duhura në vitin 2017, për të zbatuar vendimin e Komisionit Evropian që i kërkonte kompanisë t’i trajtojë konkurentët në mënyrë të barabartë.
Grupi evropian për mbrojtjen e konsumatorëve, BEUC, përshëndeti vendimin e gjykatës, duke thënë se dëshmon se rregullat e BE-së për mbrojtjen e konkurencës “vazhdojnë të jenë shumë vigjilente” në tregjet dixhitale./VOA