Vendosni fjalën kyçe....

Manja njofton përfundimin e një operacioni inspektim, u hiqet licenca 11 noterëve


Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka njoftuar përfundimin e një operacioni inspektimi që ka rezultuar në heqjen e licencës për 11 noterë në mbarë vendin dhe sekuestrimin e 17 arkivave noteriale. Operacioni është zhvilluar gjatë periudhës Janar-Gusht 2024, pas një valë ankesash nga qytetarët.

Sipas Manjës, gjatë kësaj periudhe janë realizuar 42 inspektime në zyrat noteriale, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar.

Si rezultat, 22 noterë janë konstatuar me shkelje, ku 11 noterëve u është hequr licenca, 4 janë pezulluar, dhe ndaj 7 noterëve janë vendosur masa administrative.

Ministria ka për qëllim të forcojë mbikëqyrjen për të garantuar zbatimin e rregullave ligjore.

“Gjatë periudhës Janar-Gusht 2024, Ministria e Drejtësisë ka forcuar dhe intensifikuar kontrollet në zyrat noteriale në të gjithë vendin, duke realizuar 42 inspektime, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar.

Këto kontrolle kanë ardhur si përgjigje ndaj shqetësimeve të ngritura nga qytetarët, si dhe për të garantuar zbatimin e rregullave ligjore nga ana e noterëve.

Si rezultat i këtyre inspektimeve të thelluara, janë marrë masa administrative ndaj 22 noterëve të cilët janë konstatuar me shkelje.

Prej tyre, 11 noterëve u është hequr përfundimisht licenca, 4 të tjerë janë pezulluar, ndërsa ndaj 7 noterëve janë vendosur masa administrative. Gjithashtu, janë sekuestruar 17 arkiva noteriale” ka njoftuar Manja.