Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata spanjolle anulon hetimin për mashtrim fiskal për Shakirën


Një gjykatë në Barcelonë tha të enjten se do e anulojë një çështje për mashtrim tatimor kundër Shakirës. Ishte hetimi i dytë rreth këngëtares kolumbiane për evazion fiskal në Spanjë. Prokurorët pretenduan se Shakira përdori një rrjet ndërkombëtar korporatash për të shmangur pagesën e taksave në Spanjë prej 6.6 milionë eurosh në vitin 2018.

Por gjyqtari vendosi të pushojë çështjen pasi prokurorët thanë se nuk kishte prova të mjaftueshme për të ngritur kallëzime penale.

Ndërsa gjyqtari tha se dukej se kishte “parregullsi” me taksat e Shakirës atë vit, nuk kishte asnjë tregues se ylli i popit ishte përpjekur qëllimisht të fshihte informacione ose dokumente nga autoritetet për t’iu shmangur taksave.

Në lidhje me taksat e saj për vitin 2018, Shakira u ka paguar autoriteteve spanjolle 6.6 milionë euro.

Nëntorin e kaluar, ajo zgjidhi gjithashtu çështjen e parë, duke u deklaruar fajtore për 14.5 milionë euro për mashtrim tatimor.

Si pjesë e marrëveshjes, ajo ndërroi një dënim me tre vjet burg për një gjobë prej 7.3 milionë eurosh.

Në atë rast, i cili përqendrohej në pagesat e taksave midis 2012 dhe 2014, prokurorët fillimisht kërkuan tetë vjet burg.

Këngëtarja përballet ende me një tjetër rast në Spanjë, lidhur me taksat e saj të vitit 2011. Avokatët e saj argumentojnë se ajo nuk ishte banore atë vit, kështu që nuk duhet të detyrohet të paguajë taksa.

Duke folur për Elle Magazine në vitin 2022, ajo akuzoi autoritetet spanjolle të taksave se po zhvillonin “një fushatë të turpshme shtypi” kundër saj dhe tha se ata filluan “të jargaviten” kur e panë që ajo po dilte me një shtetas spanjoll sepse donin paratë e saj.

Shakira më parë ishte në lidhje me futbollistin e Barcelonës, Gerard Pique, i cili gjithashtu është akuzuar për shmangie të taksave prej miliona dollarësh.

Çifti ka dy fëmijë së bashku, por publikisht u ndanë vitin e kaluar.

Pas ndarjes, Shakira u transferua nga Barcelona në Miami, ku ajo aktualisht banon.