Vendosni fjalën kyçe....

Ministri Hasani në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme të BE-së: Koha që premtimet të kthehen në veprime konkrete


Ministri i Jashtëm Igli Hasani ka marrë pjesë në një takim informal të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së.

Ai ka deklaruar se zgjerimi është një nga politikat më të suksesshme të Bashkimit Europian.

 “Shqipëria ka ndërmarrë reformat më transformuese në drejtësi në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë. Sundimit i ligjit është thelbësor për zhvillimin dhe mirëfunksionimin e shoqërisë. Vetëm reformat radikale mund të sjellin ndryshime rrënjësore”, tha ai.

Ndërsa fliste për Reformën në Drejtësi, Hasani u shpreh se ka sjellë transformim që ka shënuar kthesë vendimtare për vendin.

Ai shtoi se vendi ynë është i angazhuar në reformat kundër korrupsionit, rritjen e transparencës dhe integritetin në administratën publike.

“Shqipëria është e përkushtuar për ta zbatuar në kohë Planin e Rritjes dhe jemi gati për Konferencën e Dytë Ndërqeveritare. Presim dritën jeshile nga Këshilli i BE. Është koha që fjalët e premtimet të kthehen në veprime konkrete”, tha ai ndërsa ka kërkuar përshpejtim të integrimit dhe hapjen negociatash për kapitujt.