Vendosni fjalën kyçe....

Konflikt fizik në ambientet e Bashkisë së Pukës


Një situatë e pazakontë është regjistruar rreth orës 16:30 të një dite më parë në zyrën e kryetarit të bashkisë së Pukës, Rrok Dodaj.

Burim për gazetarin e News24, bëjnë me dije se kanë qenë debatet që janë ashpërsuar deri në përleshje fizike mes një qytetari, gjithashtu me detyrë shtetërore si dhe drejtorit të burimeve njerëzore në bashkinë e Pukës, Sokol Gjoni.

Në situatën e cila ka agravuar në përleshje fizike dhe grushta mes qytetarit dhe zyrtarit bashkiak mësohet se ka ndërhyrë kryebashkiaku Rrok Dodaj dhe sekretarja e këshillit bashkiak, Edona Hyseni.

Mësohet se komisariati i policisë së Pukës nuk ka nisur asnjë procedurë për ngjarjen, kjo nga fakti se nuk ka një denoncim lidhur me ngjarjen.

Ndërkohë edhe bashkia e Pukës ende nuk ka një reagim zyrtar lidhur me ngjarjen ndodhur në zyrën e kryebashkiakut.

Bashkia e Pukës ditët e fundit ka pasur përplasje të brendshme për shkak të punësimeve pa kriter në bashki, ku në dokumentin që disponojmë në Bashkinë e Pukës ka edhe të punësuar si fizioterapist apo specialiste për marrëdhëniet me BE.