Vendosni fjalën kyçe....

I dyshuar si organizator në trafikun e emigrantëve, arrestohet 53-vjeçari


Policia ka arrestuar 53-vjeçarin e shpallur në kërkim, i dyshuar si organizator për trafikimin e personave të rritur dhe dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, me qëllim përfitimin.

Shtetasi F.M banues në Kukës u arrestua nga policia pasi ndaj tij ishte caktuar masa “Arrest në burg” për trafikimin e emigranteve.

Ndërkohë policia bën me dije se po vijon puna për kapjen e shtetasit A.M me banim në Tiranë.

Në vijim të operacionit “SAFE TRIP”, nga Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit F. M., 53 vjeç, banues në Kukës.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi kriminal”. Operacioni vijon për kapjen e shtetasit A. M., 45 vjeç, me vendqendrim në Tiranë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, vazhdon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjeve të tjera ku mund të jenë përfshirë këta shtetas.

Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë.

Operacioni “SAFE TRIP” u finalizua pas përfundimit me sukses të një hetimi proaktiv, i cili u zhvillua për një periudhë rreth 1-vjeçare, në kuadër të të cilit, me mbështetjen dhe në drejtimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, u dokumentua dhe u zbardh aktiviteti kriminal i një grupi të strukturuar, i cili ishte i përfshirë në mënyrë aktive në trafikimin e personave të rritur dhe dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Hetimi filloi bazuarnë informacionin e grumbulluar nga Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale në Drejtorinë Hetimore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për shtetas dhe subjekte, të cilët siguronin kushte për shtetas të vendeve të ndryshme, për të mbërritur në vendin tonë, me qëllim që të vijojnë rrugëtimin e tyre, drejt vendeve të BE-së”-njofton policia.