Vendosni fjalën kyçe....

Presidentja peruane përjashton dorëheqjen mes hetimit për orët e  saj “Rolex”


Presidentja peruane Dina Boluarte tha të shtunën se nuk do jepte dorëheqjen pasi shtëpia e saj u bastis si pjesë e hetimeve për pasurim të paligjshëm dhe mosdeklarimin e orëve luksoze.

Rreth 20 zyrtarë nga zyra e prokurorit publik dhe 20 policë bastisën shtëpinë e Boluartes të premten në mbrëmje dhe rezidencën të shtunën në mëngjes.

“Unë e mora detyrën me duar të pastra dhe kështu do tërhiqem nga presidenca në vitin 2026,” tha ajo në një konferencë për shtyp, duke i quajtur bastisjet një masë “të papërshtatshme” dhe “abuzive”.

Shtëpia e Boluarte ndodhet në lagjen ‘Lima të Surquillo’, disa kilometra larg pallatit ku ajo punon. “Personeli i pallatit siguroi të gjitha lehtësitë për kontrollin e kërkuar”, tha Presidenca në platformën e mediave sociale X, duke shtuar se ai u krye “normalisht dhe pa asnjë incident”. Edhe kryeministri peruan Gustavo Adrianzen kritikoi gjithashtu bastisjet.

“Zhurma politike që po bëhet është serioze, duke prekur investimet dhe mbarë vendin”, shkroi ai në X. “Ato që kanë ndodhur orët e fundit janë veprime joproporcionale dhe antikushtetuese”.

Dy javë më parë, prokurorët filluan hetimet paraprake pas një raportimi në media nga programi në internet La-Encerrona se presidentja zotëronte disa orë Rolex.

Hetimi synonte të përcaktonte nëse kishte baza për një hetim zyrtar të presidentes.

Boluarte, në detyrë që nga dhjetori 2022, ka pranuar se zotëron orët Rolex, të cilat ajo tha se i kishte blerë me paratë që kishte fituar që kur ishte e re.

Zyra e prokurorit ishte përpjekur pa sukses të mërkurën e kaluar të kryente një kontroll të orëve në zyrën e Boluartes.

Hetimi ndaj Boluarte është i fundit në një histori të gjatë hetimesh ndaj presidentëve dhe zyrtarëve të lartë peruanë.