Vendosni fjalën kyçe....

Arkeologët gjejnë anije të mbytura duke përdorur si hartë “Iliadën” e Homerit


Arkeologët kanë përdorur “Iliadën”, një poemë epike e lashtë e shkruar në shekullin e tetë para erës sonës, e vendosur drejt fundit të Luftës legjendare të Trojës, si një udhëzues për të gjetur anijet e mbytura në brigjet e Greqisë.

Studiuesit nga Fondacioni Kombëtar i Kërkimeve të Greqisë dhe Ministria e Kulturës përdorën burime të ndryshme historike për të gjetur 10 anije që u mbytën nga viti 3000 p.e.s. deri në Luftën e Dytë Botërore rreth ishullit Kasos. Midis këtyre burimeve ishte “Iliada” e Homerit, që i referohet Kasos si një qendër tregtare që iu bashkua luftës kundër Trojës.

Anijet e gjetura përfshinin rrënoja nga viti 3000 p.e.s. periudha klasike, koha romake 200 p.e.s. – 300 p.e.s. gjatë periudhës mesjetare dhe osmane, si dhe një varkë prej druri 25-30 metra me përbërës metalikë që besohet se janë nga Lufta e Dytë Botërore, sipas një deklarate nga Ministria Greke e Kulturës.

Ekipi ka qenë duke bërë kërkime në zonë që nga viti 2019, së pari duke i lokalizuar anijet përpara se t’i fotografojë ato gjerësisht dhe të përpunojë pamjet e zonës duke përdorur sonar. Ata gjetën gjithashtu objekte dhe morën mostra nga rrënojat, duke ofruar njohuri mbi historinë e zonës.

Studiuesit zbuluan se anijet përmbanin mallra nga Evropa, Afrika dhe Azia, duke përfshirë një amforë spanjolle me një vulë në dorezë që e daton rreth viteve 150-170 të erës sonë dhe shishe afrikane nga terrakota që datojnë nga epoka romake.

Më shumë hollësi mbi gjetjet do publikohen në kohën e duhur, si dhe studime nga arkeologë dhe historianë mbi këtë temë. Një film mbi projektin – Zhytja në Historinë e Egjeut – është krijuar gjithashtu dhe ka hyrë në disa festivale të filmit arkeologjik.