Vendosni fjalën kyçe....

Konfirmohet pjesëmarrja e Bislimit në rundin e ri të dialogut


Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Bashkimit Evropian për rundin e ri të dialogut me Serbinë që do të mbahet më 19 mars.

Sipas këshilltarit politik të Bislimit, në këtë rund të dialogut në nivel kryenegociatorësh, në ftesën është thënë se agjenda do të jetë e fokusuar në diskutimet për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit dhe Aneksin për zbatimin e saj.

“Kosova i përgjigjet pozitivisht ftesave të cilat kanë për qëllim përqendrimin në rrugën përpara e zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të procesit të dialogut, të cilat duhet të çojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe finalizimit të procesit. Qasja jonë konstruktive duhet të njihet me konstruktivitet e bashkëpunim dhe nga pala tjetër”, shkroi Kadiu në rrjetin social Facebook.

Por, Bashkimi Evropian më herët gjatë 15 marsit konfirmoi se në këtë takim do të bisedohet për çështjen e dinarit serb, përdorimin e të cilit autoritetet kosovare e ndaluan përmes një rregulloreje të re për valutën që hyri në fuqi në shkurt.

Ndërkaq, i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i tha Radios Evropa e Lirë më 15 mars se ka arritur ta bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për adresimin e shqetësimeve të Perëndimit në lidhje me ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

Ai theksoi se shpreson një gjetjen e një zgjidhjeje urgjente për këtë çështje të martën në Bruksel.

“Unë ende jam duke shpresuar që, derisa kryenegociatorët do të takohen në Bruksel të martën, ata do ta gjejnë një zgjidhje të menjëhershme për t’i lejuar transferet e parave të gatshme në euro për këta njerëz”, tha Escobar për REL-in.

Që nga 1 shkurti, Banka Qendrore e Kosovës po zbaton rregulloren e saj që parasheh euron valutën e vetme për kryerjen e pagesave.

SHBA-ja dhe BE-ja kanë shprehur shqetësime se vendimi për këtë rregullore është marrë pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë efektet negative ndaj popullatës serbe në Kosovë.

BE-ja kërkon që për këtë çështje të gjendet zgjidhje në kuadër të dialogut, por Qeveria në Prishtinë ka argumentuar se rregullorja e BQK-së është “çështje teknike” që nuk duhet të përfshihet në dialogun politik për normalizimin e raporteve me Serbinë. Beogradi, ndërkaq, kërkon një zgjidhje politike për çështjen e dinarit serb.

Për çështjen e dinarit, Kosova dhe Serbia diskutuan në Bruksel në fund të shkurtit. Por, në atë takim, ku Kosova u përfaqësua nga guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, nuk pati ndonjë rezultat.

Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre në dinarë – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë, shkruan REL.