Një krizë e gjatë që po zien mbi aftësinë e Haitit për të qeverisur veten, veçanërisht pas një sërë fatkeqësish natyrore dhe një emergjence humanitare gjithnjë e më të tmerrshme, ka ardhur në krye në vendin e Karaibeve, pasi presidenti de facto i vendit mbetet i bllokuar në Porto Riko ndërkohë që vendi është në kaos të shfrenuar, përballet me vrasje dhe uri.
Kaosi që ka përfshirë vendin ka qenë duke u fryrë për më shumë se një vit, për të shpërthyer më pas në skenën botëtore të hënën mbrëma, pasi kryeministri jopopullor i Haitit, Ariel Henry, ra dakord të jepte dorëheqjen ndërkohë që një qeveri kalimtare ndërmjetësohet nga vende të tjera të Karaibeve dhe vendet e tjera, përfshirë SHBA-në.
Por vetë ideja e një qeverie kalimtare të ndërmjetësuar jo nga haitianët, por nga të huajt, është një nga arsyet kryesore që Haiti, një komb prej 11 milionë banorësh, është në zgrip, sipas punonjësve humanitarë dhe banorëve që kanë bërë thirrje për zgjidhje të udhëhequra nga haitianët.
“Ajo që ne po shohim në Haiti ka nisur që nga tërmeti i vitit 2010,” tha Greg Beckett, një profesor i asociuar i antropologjisë në Universitetin Perëndimor në Kanada.
Çfarë po ndodh në Haiti dhe pse?
Në vakumin e pushtetit që pasoi vrasjen e Presidentit të zgjedhur në mënyrë demokratike Jovenel Moïse në vitin 2021, Henry, i cili ishte kryeministër nën Moïse, mori pushtetin, me mbështetjen e disa kombeve, përfshirë SHBA-në.
Kur Haiti dështoi të mbajë zgjedhje shumë here, Henry tha se kjo ishte për shkak të problemeve logjistike ose dhunës gjë që u pasua nga protestat kundër tij. Në kohën kur Henry njoftoi vitin e kaluar se zgjedhjet do shtyheshin përsëri, për në vitin 2025, grupet e armatosura që ishin tashmë aktive në kryeqytetin Port-au-Prince, nxitën dhunën.
Edhe para vrasjes së Moïse, këto milici dhe grupe të armatosura ekzistonin përkrah politikanëve që i përdorën për të mbështetur kandidaturat e tyre, duke përfshirë gjithçka, nga frikësimi i opozitës deri te mbledhja e votave.
Megjithatë, me zvogëlimin e zyrtarëve të zgjedhur të vendit, shumë nga këto forca rebele janë përfshirë në akte tepër të dhunshme dhe kanë marrë kontrollin e të paktën 80% të kryeqytetit, sipas një vlerësimi të Kombeve të Bashkuara.
Këto grupe, të cilat përfshijnë paraushtarakë dhe ish-oficerë policie që paraqiten si udhëheqës të komunitetit, kanë qenë përgjegjës për rritjen e vrasjeve, rrëmbimeve dhe përdhunimeve që nga vdekja e Moïse. Sipas një raporti të OKB-së të lëshuar në janar, më shumë se 8,400 njerëz u vranë, u plagosën ose u rrëmbyen në vitin 2023, një rritje prej 122% nga viti 2022.
“Janari dhe shkurti kanë qenë muajt më të dhunshëm në krizën e fundit, me mijëra njerëz të vrarë, ose të plagosur e të përdhunuar,” tha Beckett.
Grupet e armatosura që kishin kërkuar dorëheqjen e Henrit kanë sulmuar tashmë aeroportet, stacionet e policisë, portet, Bankën Qendrore dhe stadiumin kombëtar të futbollit. Gjendja mori përmasa kritike në fillim të këtij muaji kur dy burgjet kryesore të vendit u bastisën, duke çuar në arratisjen e rreth 4,000 të burgosurve.
Qeveria e rrethuar thirri një gjendje të jashtëzakonshme 72-orëshe, duke përfshirë një shtetrrethim gjatë natës, por autoriteti i saj ishte zhdukur deri atëherë.
Përveç katastrofave të shkaktuara nga dora njerëzore, Haiti ende nuk është rikuperuar plotësisht nga tërmeti shkatërrues i vitit 2010 që vrau rreth 220,000 njerëz dhe la 1.5 milionë të pastrehë, shumë prej të cilëve jetojnë në banesa të ndërtuara keq. Më shumë tërmete, uragane dhe përmbytje kanë pasuar, duke përkeqësuar përpjekjet për të rindërtuar infrastrukturën dhe ndjenjën e unitetit kombëtar.
“Që nga tërmeti, ka pasur grupe në Haiti që përpiqen të kontrollojnë procesin e rindërtimit dhe financimin, miliarda dollarët që vijnë në vend për ta rindërtuar atë,” tha Beckett, i specializuar në Karaibe, veçanërisht në Haiti.
Beckett tha se kontrolli fillimisht erdhi nga politikanët dhe më pas nga grupet e armatosura të mbështetura nga ata politikanë.
“Partitë politike që kontrollonin qeverinë e përdorën qeverinë për korrupsion për të vjedhur ato para. Ne po shohim pasojat nga kjo.”
Shumë grupe të armatosura janë formuar vitet e fundit duke pretenduar se janë grupe të komunitetit që kryejnë punë thelbësore në lagjet e paprivilegjuara, por në vend të kësaj ata janë akuzuar për dhunë, madje edhe vrasje.
Një nga dy grupet kryesore, G-9, drejtohet nga një ish-oficer elitar policie, Jimmy Chérizier – i njohur gjithashtu si “Barbecue” – i cili është bërë fytyra publike e trazirave dhe ka marrë meritat për sulme të ndryshme ndaj institucioneve publike. Ai ka bërë thirrje hapur që Henry të japë dorëheqjen dhe e quajti fushatën e tij një “revolucion të armatosur”.
Por të kapur në mes zjarrit janë banorët e Haitit. Në vetëm një javë, 15,000 njerëz janë zhvendosur nga Port-au-Prince, sipas një vlerësimi të OKB-së.
Njerëzit janë përpjekur të largohen nga kryeqyteti për më shumë se një vit, me një grua që tha për NBC News se ajo fshihet në një kishë me tre fëmijët e saj dhe një familje tjetër me tetë fëmijë. OKB-ja tha se rreth 160,000 njerëz janë larguar nga Port-au-Prince për shkak të valës së dhunës në muajt e fundit.
Varfëria e thellë dhe uria janë gjithashtu një rrezik serioz. Bandat kanë ndërprerë hyrjen në portin më të madh të vendit, ‘Autorité Portuaire Nationale’ dhe ushqimi së shpejti mund të mbarojë.
E ardhmja e pasigurt e Haitit
Një qeveri e re kalimtare mund të trembë haitianët dhe mbështetësit e tyre që bëjnë thirrje për zgjidhje të krizës të udhëhequra nga vendasit.
Por krijimi i një qeverie të tillë do të vinte pas viteve të përçarjes demokratike dhe rrënimit të lidershipit politik të Haitit. Vendi nuk ka mbajtur zgjedhje për tetë vjet.
Mbrojtësit dhe studiuesit nga Haiti si Jemima Pierre, një profesoreshë e asociuar e antropologjisë në Universitetin e Kalifornisë, Los Anxhelos, thonë se ndërhyrja e huaj, duke përfshirë edhe SHBA-në, është pjesërisht përgjegjëse për trazirat e Haitit. SHBA-ja ka dërguar në mënyrë rutinore mijëra trupa në Haiti, ka ndërhyrë në qeverinë e saj dhe ka mbështetur drejtues jopopullorë si Henry.
“Ajo që ka ndodhur gjatë 20 viteve të fundit është shpërbërja e vazhdueshme e shtetit haitian,” tha Pierre.
“Ajo që do të thotë ndërhyrja për Haitin, ajo që ka nënkuptuar gjithmonë, është vdekja dhe shkatërrimi”.
Në fakt, gjendja e vendit ishte aq e rëndë sa Henry u detyrua të udhëtonte jashtë vendit me shpresën për të siguruar një marrëveshje paqeruajtëse të OKB-së. Ai shkoi në Kenia, e cila ra dakord të dërgonte 1000 trupa për të bashkërenduar një aleancë të Afrikës Lindore dhe të mbështetur nga OKB-ja për të ndihmuar në rivendosjen e rendit në Haiti, por plani tani është lënë pezull.
Kenia ra dakord tetorin e kaluar të dërgonte një forcë sigurie të sanksionuar nga OKB-ja në Haiti, por gjykatat e Kenias vendosën se ishte jokushtetuese.
“Një force policore nga Kenia që nuk flet gjuhën kreole, nuk flet frëngjisht,” tha Pierre.
“Policia keniane është e njohur për shkeljet e të drejtave të njeriut. Pra, çfarë na thotë neve si haitianë që e vetmja gjë që ju shihni se ne meritojmë nuk janë shkollat, jo dëmshpërblimet për kolerën që solli OKB-ja, por më shumë ushtarakë me mandatin për të përdorur çdo lloj force mbi popullsinë tonë? Kjo është e papranueshme.”
Henry u detyrua të njoftonte dorëheqjen e planifikuar nga Porto Riko ku ndodhet, pasi kërcënimet e dhunës dhe grupet e armatosura që pushtuan aeroportet, e kanë penguar atë të kthehej në vendin e tij.
Tani që Henry do largohet, nuk është aspak e qartë se çfarë do bëjnë apo kërkojnë grupet e armatosura më pas, përveç të drejtës për të qeverisur.
“Është populli haitian që e di se çfarë po kalon. Është populli haitian që do marrë fatin në duart e veta të ardhmen. Populli haitian do zgjedhë se kush do t’i qeverisë ata,” tha Chérizier së fundmi, sipas Associated Press.
Haitianët dhe mbështetësit e tyre kanë paraqitur zgjidhjet e tyre gjatë viteve, duke u shprehur se ndërhyrja e huaj anashkalon në mënyrë rutinore zërat dhe dëshirat e haitianëve.
Në vitin 2021, udhëheqësit e kishës nga Haiti dhe jashtë Haitit, grupet e të drejtave të grave, avokatët, punonjësit humanitarë, Sektori i Voodoo dhe më shumë krijuan Komisionin për të kërkuar një zgjidhje haitiane për krizën.
Komisioni ka propozuar “Marrëveshjen e Montanas”, duke përshkruar një qeveri të përkohshme dyvjeçare me komitete mbikëqyrëse të ngarkuara me rivendosjen e rendit, zhdukjen e korrupsionit dhe vendosjen e zgjedhjeve të ndershme.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e NBC
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani