Vendosni fjalën kyçe....

Trump kryeson ndaj Biden në shtatë shtete kyçe – Sondazhi


Ish-presidenti amerikan dhe kandidati republikan, Donald Trump po kryeson ndaj Joe Biden në shtatë shtete të luhatshme, me një shumicë dërrmuese të amerikanëve që e shohin presidentin Biden si “shumë të vjetër”, sipas një sondazhi.

Një sondazh nga Bloomberg News/Morning Consult i publikuar të enjten zbuloi se 48% e votuesve do mbështesnin kandidatin e supozuar republikan nëse zgjedhjet presidenciale do mbaheshin sot, krahasuar me 43% që do mbështesnin 81-vjeçarin Biden.

Trump kryeson ndaj kundërshtarit  me disa pikë në të shtatë shtetet kryesore, përfshirë Arizonën (6%), Xhorxhian (6%), Miçiganin (2%), Nevadën (6%), Karolinën e Veriut (9%), Pensilvaninë (6%) dhe Uiskonsinin (4%), tregon sondazhi.

Sondazhi zbuloi gjithashtu se 82% e të anketuarve e shohin Biden-in, 81 vjeç, si “shumë të vjetër”, ndërsa 47% besojnë se përshkrimi vlen për Trump-in, 77 vjeç. Rreth 38% thonë se të dy burrat janë të moshuar për të shërbyer si president.

Megjithatë, 59% e përshkruajnë Trumpin si “të rrezikshëm”, ndërsa 48% thonë të njëjtën gjë për Biden. 14% i përshkruan të dy udhëheqësit si “të rrezikshëm”.

Përveç kësaj, vetëm 30% e përshkruajnë Bidenin si “të aftë mendërisht”, me 47% që thonë se kjo vlen për Trump. Më shumë amerikanë gjithashtu e shohin Trump-in si “me shëndet të mirë” dhe “një udhëheqës të fortë”. Biden, megjithatë, përgjithësisht shihet si një president më i dhembshur.

Shqetësimet për aftësinë mendore të Bidenit kanë qenë një faktor kryesor në ciklin zgjedhor të 2024-ës, i nxitur nga gafat e përsëritura në publik. Në fillim të kësaj jave, Biden u deklarua “i aftë për detyrë” pas një ekzaminimi fizik, i cili nuk përfshinte një vlerësim të aftësive njohëse.