Vendosni fjalën kyçe....

Dule: Burgosja e Fredi Belerit me regji të Ramës, në qeli pa asnjë provë


Kreu i PDBSNj-së Vangjel Dule pohoi sot se procesi ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, është politik.

Ai theksoi se krerë bashkish në Shqipëri me të njëjtat akuza si ato ndaj Belerit, jo vetëm që nuk janë arrestuar e burgosur, po janë zgjedhur, rizgjedhur e betuar në tre procese të dryshme zgjedhore në vend.

“Nga ana tjetër krerë bashkish me të njëjtat akuza si Fredi Belerit për korrupsion elektoral, jo vetëm që s’janë ndaluar, po janë zgjedhur e rizgjedhur në 3 palë zgjedhje pa u penguar. Janë ndjekur në gjendje të lirë. Janë betuar në një kohë që ndiqeshin penalisht. Këtu kemi diferencim të pakuptueshëm, lehtësisht të interpretueshëm e të papranueshëm. Këto shkelje janë një zinxhir i gjatë.” – tha Dule.

Ai theksoi se procesi ndaj Belerit u nis nga kryeministri Rama që më 6 maj 2023  dhe vijoi më pas me arrestimin e burgosjen e tij në një proces të stisur dhe pa prova.

“Kjo është një çështje që nisi në 6 maj nga kryeministri dhe kryetari i PS zoti Rama. Nisi në fushatën zgjedhore në bashkinë e Himarës, ku u evidentuan prej të gjithëve dy elemente të papranueshme për një fushate zgjedhore. Denigrimi i figurës së z. Beleri me fyerje bullizëm dhe karakterizime të papranueshme. Dhe së dyti me shpifje. Duke instrumentalizuar një intervistë në mediat greke, Rama shfrytëzoi segmente të medias prej tij e shndërroi në helenizim duke përmbysur kuptimin e fjalës.

Kur nuk gjetën një fakt të vetëm gjatë përgjimeve. Realizohet një arrestim, në fakt rrëmbim demonstrativ në qendër të Himarës, kur ai ishte me avokatin e tij. Kemi arrestim i cilësuar në flagrancë pa asnjë prove fakt e dokument. Një orë para arrestimit Rama e kërcënoi drejtë për së drejti nga një emision televiziv. Rama nuk u ndal me kaq, para çdo vendimi të gjykatave si për gjykimin në themel edhe për masat e sigurisë apo leja për betim, i ka paraprirë me deklaratat publike, duke matur peshën e fajit dhe duke e krahasuar me raste analoge. Kjo është ndërhyrje e hapur në punën e gjyqësorit dhe dëshmon se çështja Beleri ka qenë me regji e monitorim nga Rama.” – shtoi Dule.