Vendosni fjalën kyçe....

Dhuna ndaj KFOR-it në veri të Kosovës, gjykata dënon dy protestues


Gjykata Themelore në Prishtinë, pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie mes Prokurorisë Speciale dhe të akuzuarve, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Radosh Petroviç dhe Dushan Obrenoviç, të akuzuar për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan, duke i dënuar Petroviçin me 6 mijë euro gjobë dhe Obrenoviçin me 6 muaj burgim.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se aktgjykimi ndaj dy të akuzuarve u shpall të martën nga gjykatësi Vesel Ismaili.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Petroviq është dënuar me 6 muaj burgim, i cili dënim me pëlqimin e tij i zëvendësohet me gjobë 6 mijë euro.

Në këtë dënim, të njëjtit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim, ku për secilën ditë qëndimi llogariten nga 20 euro.

Kurse, i akuzuari Obrenoviq u dënua me 6 muaj burgim, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 29 maji deri më 27 nëntor 2023.

Të akuzuarit obligohen që t’i paguajnë shpenzimet e procedurës sipas llogaritjes së shpenzimeve të gjykatës, për paushallin gjyqësor secili veç e veç obligohen të paguajnë nga 200 euro, si dhe nga 50 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

Palët e pakënaqura, kanë të drejtë ankese për lartësinë e dënimit, në afat prej 30 ditësh pas shpalljes së aktgjykimt.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 5 shkurt 2024, ka ngritur aktakuzë ndaj Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq, lidhur me veprimet e dhunshme në protestat e organizuara kundër rendit kushtetues në Zveçan.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, të pandehurit Petroviq dhe Obrenoviq thuhet se më 29 maj 2023 nga ora 6:00 e deri në orët e mbrëmjes në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit e në koordinim me shumë të pandehur tjerë të nacionalitetit serb, kanë marrë pjesë aktive në grupin përkatësisht turmën e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze.

Në aktakuzë thuhet se të njëjtit përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit, ashtu që kanë refuzuar urdhrat e ushtarëve të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës dhe refuzim të hyrjes në objektin e komunës.

E me rastin e arrestimit të tyre, aktakuza thotë se protestuesit e tjerë kanë ushtruar dhunë të pakontrolluar me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë zjarri nga të cilat janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, tre nga ta nga predhat e armëve të zjarrit.

Përveç këtyre veprime, thuhet se kanë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovës, si dhe veturat e gazetarëve, të cilët kanë mbuluar ngjarjet e kësaj dite, duke përfshirë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtimin fizik në masë të madhe si dhe duke shkaktuar rrezik në shkallë të gjerë për jetën dhe trupin e shumë njerëzve dhe pasurisë.

Me këto veprime, Petroviq dhe Obrenoviq, sipas PSRK-së në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, nga neni 404, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, shkruan Betimi për drejtësi