Vendosni fjalën kyçe....

“Jemi abuzuar” – Deklaratat e ish-murgeshave nxisin polemika


Veprat e Marko Rupnik zbukurojnë shumë nga ndërtesat më të rëndësishme të Kishës Katolike, duke përfshirë vetë Vatikanin

Një prift katolik i profilit të lartë i detyroi murgeshat të shikonin pornografi dhe të merrnin pjesë në treshe në mënyrë që të “rriten shpirtërisht”, duke e krahasuar seksin në grup me Trininë e Shenjtë, shkruan The Telegraph.

Një nga viktimat e supozuara të At Marko Rupnik foli publikisht për herë të parë në një konferencë shtypi në Romë të mërkurën, duke thënë se ajo ishte abuzuar seksualisht për vite me radhë në komunitetin që prifti, i njohur në mbarë botën për artin e tij fetar, themeloi në vendlindjen e tij Slloveni.

“Ai më çoi në kinema pornografike për të më ndihmuar ‘të rritesha shpirtërisht’”, pohoi Gloria Branciani, e cila ishte anëtare e komunitetit deri në vitin 1994.

“Ai tha se nuk do rritesha shpirtërisht nëse nuk do t’i plotësoja nevojat e tij seksuale. Ne patëm një murgeshë tjetër qw bëri seks me ne, sepse ai tha se ishte si Triniteti,” tha zonja Branciani, duke iu referuar Trinisë së Shenjtë, një parim qendror i krishtwrimit.

“Ai ishte gjithmonë i mbrojtur nga të gjithë dhe gjithçka për të cilën mund ta akuzonit.”

Një murgeshë e dytë, Mirjam Kovak, gjithashtu duke folur publikisht për herë të parë, tha se ajo ishte abuzuar psikologjikisht nga Rupnik dhe se ajo e kishte raportuar atë tek zyrtarët jezuitë që në fillim të viteve 1990. Ajo tha se ishte kundwrshtuar dhe pushuar vazhdimisht.

Akuzat për sjelljen e Rupnikut u shfaqwn në vitin 2022 dhe qershorin e kaluar, ai u përjashtua nga jezuitët, rendi fetar të cilit i përket Papa Françesku.

Më shumë se 20 persona, kryesisht ish-murgesha, e kanë akuzuar Rupnikun për abuzim, qoftë kur ai ishte drejtor shpirtëror i komunitetit të murgeshave në Slloveni, ose pasi u transferua në Romë për të ndjekur karrierën e tij si artist.

Gloria Branciani, majtas, dhe Mirjam Kovac në konferencën për shtyp në Romë të mërkurën

Që prej shpërthimit të skandalit dy vite më parë, Rupnik nuk ka komentuar publikisht. Ai besohet se jeton në Slloveni. Prifti, i specializuar në mozaikë, u bë i njohur kur i ndjeri Papa Gjon Pali II e ngarkoi atë të ridizajnonte një kishë në Vatikan në fund të viteve 1990. Që atëherë, ai ka punuar në bazilika dhe kisha në mbarë botën.

Konferenca për shtyp në të cilën dy ish-murgesha folën të mërkurën u organizua nga një mbikëqyrës me bazë në SHBA i quajtur Bishop Accountability, i cili ka gjurmuar abuzimin seksual brenda Kishës Katolike për 20 vitet e fundit.

Anne Barrett Doyle, bashkëdrejtoresha e Bishop Accountability, e përshkroi Rupnik-un si një “klerik të fuqishëm që mbrohej në nivelet më të larta të Kishës dhe Vatikanit”. Ajo bëri thirrje që Vatikani të nisw  një hetim mbi përgjigjen e Kishës ndaj akuzave për abuzim dhe të publikojë gjetjet.

Ajo gjithashtu kërkoi që Vatikani të krijojë një fond të dedikuar për murgeshat që janë abuzuar seksualisht dhe shpirtërisht nga priftërinjtë në vendet katolike anembanë botës, veçanërisht ato që janë detyruar të largohen nga urdhrat e tyre pasi kanë mbetur shtatzënë.

Pesë vjet më parë, Papa thirri një samit të paprecedentë në Vatikan, i cili kishte për qëllim të përballej me abuzimin seksual në Kishë.

Por pavarësisht retorikës së fortë dhe premtimeve ekstravagante për veprim, rastet e abuzimit si ato të Rupnik tregojnë se pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e Kishës ndaj grabitqarëve seksualë, tha Barrett Doyle.

“Trajtimi i fshehtë i Kishës i akuzave të rënda kundër Rupnik-ut në pesë vitet e fundit ka të gjitha shenjat e një fshehjeje të kohëve të vjetra. Ky rast përfaqëson jo vetëm mbrojtjen e vazhdueshme të Kishës ndaj abuzuesve të fuqishëm, por indiferencën e saj të veçantë ndaj abuzimit seksual të grave të rritura.”

Ajo tha se akuzat kundër Rupnik-ut ishin hedhur poshtë nga zyrtarë të lartë të Kishës në një departament të fuqishëm të Vatikanit, i ngarkuar me hetimin e keqbërjeve nga kleri, Dikasteri i Doktrinës së Besimit, si dhe “ndoshta nga vetë Papa Françesku”.

Në vitin 2020, Rupnik u shkishërua për shfajwsimine një gruaje me të cilën kishte pasur marrëdhënie seksuale, por shkishërimi u anulua dy javë më vonë. Të dy hapat u ndërmorën në fshehtësi.

Në shkurt të vitit të kaluar, jezuitët njoftuan se kishin dëgjuar dëshmi nga 15 gra, pretendimet e të cilave u gjetën të besueshme, duke çuar në dëbimin e Rupnik-ut në qershor. Por ai mbetet prift.