Donald Trump mund të rrezikojë të humbasë disa prej pronave të tij të çmuara nëse nuk mundet të paguajë gjobën në Nju Jork. Gjoba e tij prej afro 454 milionë dollarësh, që iu dha nga një gjykatë shtetërore në Nju Jork për fryrjen e vlerave të pasurive të tij në aplikimet për kredi, për shkak të normës së interesit do të rritet me 87,502 dollarë në ditë derisa ai ta ketë paguar.
Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James i tha kanalit “ABC News” të martën se ajo do të kërkojë konfiskimin e disa prej pronave të ish-presidentit nëse ai nuk është në gjendje të paguajë gjobën e vendosur nga gjykatësi Arthur Engoron më 16 shkurt.
Gjykatësi Engoron arriti në përfundimin se ish-Presidenti Trump gënjeu për vite me radhë për pasurinë e tij, ndërsa ndërtoi perandorinë e pasurive të paluajtshme që e bëri të famshëm dhe e ndihmoi të arrinte deri në Shtëpinë e Bardhë. Zoti Trump ka mohuar akuzat për shkelje dhe është zotuar se do të apelojë vendimin e gjykatës.
“Nëse ai nuk ka fonde për të paguar gjobën, atëherë për zbatimin e vendimit të gjykatës do t’i kërkojmë gjyqtarit që të sekuestrojë pasuritë e tij”, tha prokurorja demokrate Letitia James në një intervistë me gazetarin e kanalit “ABC”, Aaron Katersky.
Mundësitë e zotit Trump për të paguar tarifat e tij ligjore në rritje po vështirësohen nga humbjet e njëpasnjëshme të gjyqeve. Në janar, një juri e urdhëroi atë të paguante 83.3 milionë dollarë për shpifje ndaj shkrimtares E. Jean Carroll.
Zoti Trump pretendoi vitin e kaluar se ai ka rreth 400 milionë dollarë para të gatshme, rezerva që do të shpenzoheshin për proceset gjyqësore ndaj tij. Pjesa tjetër e pasurisë së tij, që ai thotë se ka një vlerë prej disa miliarda dollarësh, është e lidhur me fushat e golfit, ndërtesat shumëkatëshe dhe prona të tjera, si dhe investimet.
Por prokurorja James nuk do të mund të fillojë menjëherë përpjekjet për të marrë çelësat e ndërtesës “Trump Tower” në Nju Jork apo pronës së tij Mar-a-Lago në Florida. Apelimi, që zoti Trump ka premtuar se do të bëjë për vendimin që i dha atij gjobën prej gati 454 milionë dollarësh, ka të ngjarë të pezullojë pagesën e gjobës ndërsa procesi i apelimit vazhdon.
Më poshtë mund të lexoni një pasqyrë të këtij procesi, pas vendimit me kosto të lartë të gjykatës në Nju Jork ndaj ish Presidentit Trump.
A MUND TË KONFISKOJË SHTETI I NJU JORKUT PASURITË E ISH PREISDENTIT TRUMP?
Po. Nëse zoti Trump nuk është në gjendje të paguajë, shteti “mund të konfiskojë dhe të shesë pasuritë e tij, të bllokojë pronat e tij të paluajtshme dhe të marrë një pjesë të të ardhurave të atyre që kanë marrë borxhe nga zoti Trump”, thotë profesori i drejtësisë në Universitetin e Sirakuzës, Gregory Germain.
Sekuestrimi i pasurive është një taktikë e zakonshme ligjore kur një i pandehur nuk ka para të mjaftueshme për të paguar gjobat. Një shembull i famshëm është ai ish lojtarit të njohur të futbollit amerikan, O.J. Simpson, të cilit autoritet ia konfiskuan “Trofeun Heisman” dhe e shitën në ankand në vitin 1999 për të paguar një pjesë të dënimit të tij prej 33.5 milionë dollarësh.
Ish Presidenti Trump mund të shmangë sekuestrimin e pasurive nëse ka para të mjaftueshme, apo do të sigurojë para të mjaftueshme, për të paguar gjobën dhe normën e interesit në rritje.
Nuk është e qartë se sa para të gatshme ai ka, sepse shumica e informacionit për financat e zotit Trump vijnë nga vetë zoti Trump, përmes raportimeve dhe pasqyrave financiare vjetore, që gjykatësi Engoron i ka konsideruar mashtruese.
Zoti Trump raportoi se kishte rreth 294 milionë dollarë në para të gatshme, ose ekuivalente të kësaj shume, në pasqyrën e tij më të fundit financiare vjetore për vitin fiskal që përfundoi më 30 qershor 2021.
Pas kësaj, sipas avokatëve të shtetit, ai shtoi rreth 186.8 milionë dollarë nga shitja e hotelit të tij në Uashington në maj të vitit 2022 dhe shitja e të drejtave për të menaxhuar një fushë golfi në qytetin e Nju Jorkut në qershor 2023. Një pjesë e dënimit të zotit Trump kërkon që ai t’ia japë ato të ardhura shtetit, plus interesin e akumuluar.
Vendimi i gjykatësit Engoron javën e kaluar e kurseu perandorinë e pasurive të paluajtshme të zotit Trump nga ajo që kandidati kryesor republikan e konsideroi “dënim me vdekje të korporatës”, duke anuluar një vendim të mëparshëm dhe duke zgjedhur ta lejojë kompaninë e tij të vazhdojë biznesin, megjithëse me kufizime të rënda, përfshirë mbikëqyrjen nga një inspektor i caktuar nga gjykata.
Prokurorja James nuk specifikoi për kanalin “ABC” se cilat nga pasuritë e zotit Trump mund të konfiskojë shteti, megjithëse ajo vuri në dukje se zyra e saj ndodhet pikërisht përballë një ndërtese në pronësi të zotit Trump në Manhatan, që ishte objekt i disa veprimeve mashtruese të përfshira në padinë e saj.
“Jemi të përgatitur të sigurohemi që gjoba t’u paguhet njujorkezëve”, tha prokurorja James në intervistën për kanalin ABC.
SI DO TË NDIKOJË APELIMI NË DËNIMIN E ZOTIT TRUMP?
Nëse zoti Trump e apelon vendimin, atëherë gjatë periudhës së apelimit ai nuk do ta paguajë gjobën dhe nuk do të përballet me sekuestrim të pasurive të tij. Nëse e fiton apelin, ai mund të mos ketë nevojë të paguajë asnjë pjesë të gjobës.
Sipas ligjit të shtetit të Nju Jorkut, zoti Trump merr automatikisht një pezullim të detyrimit për të paguar gjobën në këmbim të një garancie financiare, që dëshmon se ai mund të paguajë të gjithë gjobën. Ky është një mekanizëm ligjor që ndalon zbatimin e një vendimi gjyqësor gjatë procesit të apelimit.
“Edhe nëse vendosim ta apelojmë këtë, gjë që do ta bëjmë, ne duhet të ofrojmë garancinë e pagesës, që është shuma e plotë e gjobës dhe ne do të jemi të përgatitur ta bëjmë këtë”, tha avokatja e zotit Trump, Alina Habba në një intervistë për kanalin “Fox News” të hënën.
Avokatët e ish-Presidentit Trump mund t’i kërkojnë gjithashtu gjykatës së apelit, që të pezullojë zbatimin e vendimit pa ofruar garanci për pagesën e gjobës, ose për një garanci me vlerë më të ulët se sa shuma e plotë e gjobës.
Në çështjen e tij penale të ndërhyrjes në zgjedhjet në Xhorxhia, zoti Trump pagoi 20,000 dollarë, rreth 10% të garancisë prej 200,000 dollarësh, të kërkuar fillimisht nga gjykata për gjykimin e tij në liri. Pas humbjes në një gjyq të parë ndaj shkrimtares Carroll vitin e kaluar, zoti Trump vendosi 5.55 milionë dollarë garanci për të mbuluar koston e gjykimit gjatë procesit të apelimit. Ai ka thënë se do të apelojë vendimin e janarit prej 83.3 milionë dollarësh, por ende nuk e ka bërë këtë.
“Nëse ai nuk mund të plotësojë kërkesat e divizionit të apelit, atëherë mendoj se ai do të fillojë procedurat e falimentimit për të përfituar nga ligji që në mënyrë automatike ndalon zbatimin e vendimit për të paguar gjobën gjatë procesit të apelimit“, thotë profesor Germain. “Por para kësaj duhet të ndodhin disa hapa të tjerë, kështu që ne do të duhet të presim për të parë se çfarë do të ndodhë.”
Zotimi i ish Presidentit Trump për të apeluar të gjitha çështjet ligjore, do t’i zvarrisë betejat e tij ligjore deri në fund të fushatës për zgjedhjet paraprake republikane, në të cilat ai pritet të marrë emërimin e partisë për kandidat të saj në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Apeli gjithashtu ka të ngjarë të përkojë me gjyqin e tij penal në Nju Jork muajin e ardhshëm për çështjen e pagesave për të blerë heshtjen e disa grave, me të cilat ai ka patur marrëdhënie intime, e para nga katër çështjet penale që do të shkojnë në gjyq.
Ish Presidenti Trump nuk mund të apelojë ende vendimin për gjobën në Nju Jork sepse zyra e nëpunësit në gjykatën, ku punon gjykatësi Engoron duhet së pari të paraqesë dokumentet për të zyrtarizuar vendimin. Sapo të ndodhë kjo, zoti Trump do të ketë 30 ditë për të apeluar vendimin, apo për të paguar gjobën.
SHUMA E INTERESIT PREJ 87,502 DOLLARËSH NË DITË
Çdo ditë që kalon pa u paguar gjoba, zoti Trump detyrohet të paguajë 87,502 dollarë interes për gjobën për falsifikim të vlerës së bizneseve të tij. Nga 16 shkurti, kur gjykata dha vendimin për këtë, deri të enjten më 23 shkurt, gjoba do të rritet me 525,000 dollarë për shkak të normës së interesit, e cila do të vazhdojë të rritet edhe gjatë procesit të apelimit. Duke përjashtuar ndërhyrjen e gjykatës ose një zgjidhje të mëparshme, fatura e tij do të rritet në gjysmë miliard dollarë deri në gusht 2025.
Dënimi bazë ndaj zotit Trump është 355 milionë dollarë, ekuivalenti i asaj që gjykatësi tha se ishin “fitime të paligjshme” nga kursimet në interesat më të ulëta të kredisë dhe fitimet e tij nga falsifikimi i vlerës së bizneseve të tij.
Sipas ligjit të shtetit, atij i ngarkohet një normë vjetore interesi prej 9%.
Që nga e mërkura, zoti Trump duhet të paguajë pak më shumë se 99 milionë dollarë në interesa, duke e çuar totalin e tij gjobës së tij në pak më pak se 454 milionë dollarë (saktësisht 453,981,779 dollarë), sipas përllogaritjeve të agjencisë së lajmeve Associated Press./VOA