Vendosni fjalën kyçe....

Ish-informatori i FBI-së i akuzuar se gënjeu për Hunter e Joe Biden kishte kontakte me inteligjencën ruse – Time


Një ish-informator i FBI-së i akuzuar për krijimin e një skeme ryshfeti shumëmilionëshe që përfshin presidentin Joe Biden, djalin e tij Hunter dhe një kompani ukrainase energjetike kishte kontakte me zyrtarë të lidhur me inteligjencën ruse, thanë prokurorët në një dokument gjyqësor të martën.

Prokurorët zbuluan kontaktin e supozuar teksa i kërkuan një gjyqtari që ta mbante Aleksandër Smirnovin pas hekurave ndërsa ai pret gjykimin.

Ai akuzohet se i ka thënë në mënyrë të rreme menaxherit të tij se drejtuesit e kompanisë ukrainase të energjisë Burisma i kanë paguar Hunter dhe Joe Biden 5 milionë dollarë secili rreth vitit 2015. Pretendimi mori rëndësi të veçantë për hetimin e fajësimit të nisur republikanët në Kongres.

Gjykatësi Daniel Albregts lejoi që Smirnov të lirohej nga paraburgimi duke e lënë në mbikëqyrje elektronike GPS, ndërsa ai pret gjykimin. Ai duhet të qëndrojë në Clark County, Nevada, dhe i ndalohet të aplikojë për pasaportë të re.

Prokurorët thanë se Smirnov, 43 vjeç, pranoi gjatë një interviste pas arrestimit të tij javën e kaluar se “zyrtarët e lidhur me inteligjencën ruse ishin të përfshirë në sajimin e një historie” për Hunter Biden.

Ata thanë se kontaktet e Smirnovit me zyrtarët rusë ishin të kohëve të fundit dhe të gjera dhe thanë se Smirnov kishte planifikuar të takohej me një zyrtar gjatë një udhëtimi të ardhshëm jashtë shtetit.

Smirnov ka qenë në paraburgim në një strukturë rreth një orë me makinë në perëndim të Las Vegasit, që nga arrestimi i tij javën e kaluar në aeroport, ndërsa kthehej nga jashtë.

Avokatët mbrojtës David Chesnoff dhe Richard Schonfeld thanë në një deklaratë se ata kërkuan lirimin e Smirnovit ndërsa ai pret gjykimin “në mënyrë që ai të mund të luftojë efektivisht pushtetin e qeverisë”.

Shtëpia e Bardhë nuk i komentoi menjëherë pretendimet në dosjen gjyqësore të së martës.

Prokurorët thonë se Smirnov, i cili ka nënshtetësi të dyfishtë amerikano-izraelite, ka raportuar në mënyrë të rreme në FBI në qershor 2020 se drejtuesit e lidhur me kompaninë ukrainase të energjisë Burisma i kanë paguar Hunter dhe Joe Biden 5 milionë dollarë secilit në vitin 2015 ose 2016.

Smirnov në fakt kishte vetëm marrëdhënie biznesi rutinë me kompaninë duke filluar nga viti 2017 dhe i bëri akuzat për ryshfet pasi ai “kishte paragjykim” kundër Joe Biden ndërsa ishte kandidat presidencial, thanë prokurorët në dokumentet e gjykatës.

Ndaj tij rëndon akuza e deklarimit të rremë dhe krijimi i procesverbalit të rremë dhe fiktiv. Akuzat u ngritën në Los Anxhelos, ku ai jetoi për 16 vjet përpara se të zhvendosej në Las Vegas dy vjet më parë.

Pretendimet e Smirnovit kanë qenë qendrore në përpjekjet republikane në Kongres për të hetuar presidentin dhe familjen e tij dhe ndihmuan në ndezjen e asaj që tani është një hetim i Kongresit për shkarkimin e Biden.

Demokratët bënë thirrje për t’i dhënë fund hetimit pasi aktakuza u u shfaq javën e kaluar, ndërsa republikanët e distancuan hetimin nga pretendimet e Smirnov dhe thanë se do vijonin “të ndiqnin faktet”.

Hunter Biden pritet të japë një dëshmi javën e ardhshme.

Akuzat e Burisma u bënë një pikë e ndezur në Kongres pasi republikanët që ndoqën hetimet e Presidentit Biden dhe familjes së tij kërkuan që FBI-ja të nxirrte formularin e pa redaktuar që dokumentonte akuzat. Ata pranuan se nuk mund të konfirmonin nëse akuzat ishin të vërteta.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Time

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani