Vendosni fjalën kyçe....

Assange në gjendje të keqe shëndetësore, mungon sot në gjyqin kundra ekstradimit


Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk do të marrë pjesë në seancën dëgjimore që filloi sot në një gjykatë britanike, tha avokati i tij.

“Ai nuk ndihet mirë  dhe nuk do të jetë i pranishëm,” tha Edward Fitzgerald në fillim të një seance në Gjykatën e Lartë të Londrës, e cila do të shqyrtojë refuzimin e një gjykate tjetër të kërkesës së Assange për të apeluar ekstradimin e tij në SHBA.

Assange, 52 vjeç, kaloi shtatë vjet i mbyllur në ambasadën e Ekuadorit në Londër përpara se të arrestohej në vitin 2019. Që atëherë ai është mbajtur në burgun e sigurisë maksimale Belmars në Londrën juglindore.

Me afrimin e seancës, mbështetësit e tij paralajmëruan për rreziqet për jetën e Assange.  Gruaja e tij Stella Assange tha javën e kaluar se shëndeti i tij “si fizikisht ashtu edhe mendërisht po përkeqësohet”.

Para se të fillonte procedimi sot, një turmë njerëzish që ishin mbledhur para Gjykatës së Lartë në Londër brohoritnin ” Lironi Julian Assange “.

Dje, Stella Assange i tha BBC-së se ajo ka frikë se burri i saj do të ekstradohet menjëherë në SHBA nëse Gjykata e Lartë në Londër refuzon kërkesën e tij. “Shpresojmë se do të kemi kohë të apelojmë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ)” në mënyrë që ajo të ndërhyjë me kohë, shtoi ajo.

Në janar 2021, drejtësia britanike vendosi fillimisht në favor të themeluesit të WikiLeaks. Duke përmendur rrezikun e vetëvrasjes së Assange, gjyqtarja Vanessa Barrecher refuzoi të jepte dritën jeshile për ekstradimin e tij. Por më vonë ky vendim u anulua.