Vendosni fjalën kyçe....

Zjarr në urgjencën e QSUT-së, pacientët dërgohen te Sanatoriumi, evakuohet personeli


Një zjarr ka rënë në urgjencën e re të QSUT-së orët e para të mëngjesit të kësaj të diele, 11 shkurt.

Mësohet se shkak për flakët është bërë një defekt në bateritë e serverëve, të cilët ndodheshin në katin -1.

Forcat zjarrfikëse arritën të vënë flakët në kontroll, ndërsa fatmirësisht asnjë person nuk ka mbetur i lënduar.

Për çështje sigurie, të gjithë pacientët janë transportuar në Sanatoriumin në Sauk. Ndërkohë, forcat zjarrfikëse kanë evakuuar edhe personelin.

“Më datë 11.02.2024, rreth orës 05:30, në Rrugën e Dibrës, dyshohet se si pasojë e një shkëndije, ka rënë zjarr në katin -1, te urgjenca e re. Shërbimet e Policisë në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse, menjëherë kanë bërë evakuimin e stafit mjekësor dhe pacientëve. Zjarri është fikur dhe si pasojë e tij nuk ka persona të dëmtuar”, njofton policia.

Për situatën ka pasur edhe një reagim nga Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza, në të cilin thuhet se menjëherë sapo u raportua për zjarr janë marrë masat për sigurimin e pacientëve të shtruar, ndërsa po vijojnë hetimet për shkaqet e zjarrit.

“Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme në katin -1 të godinës së QSUT është raportuar tym. Menjëherë janë marrë masat për sigurimin e pacientëve të shtruar dhe situata u vu nën kontroll në një kohë rekord dhe shkaqet e tymit po hetohen.

Situata është në monitorim të vazhdueshëm dhe pacientët janë të gjithë jashtë rrezikut për jetën, falë angazhimit të personelit mjekësor dhe atij zjarrfikës. Çdo gjë është nën kontroll dhe gjendja paraqitet e qetë”, thuhet në reagim.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.