Vendosni fjalën kyçe....

Biden ka më shumë se problemin e moshës, votuesit nuk e shohin atë si president – Wall Street Journal


Një president mund të plotësojë rolin e burrit të shtetit global, kryenegociatorit me Kongresin, ngushëlluesit kryesor në kohë të vështira ose argëtuesit në televizion.

Një sfidë për presidentin Biden është se shumë votues nuk e shohin atë si mishërues të ndonjë prej këtyre identiteteve, pavarësisht suksesit të tij në arritjen e një sërë marrëveshjesh legjislative dhe diplomatike.

Në vend të kësaj, këta votues e shohin Biden-in si të dështuar për të qëndruar në zyrën e presidencës, duke e vënë atë në rrezik për t’u përcaktuar nga çështje jashtë kontrollit të tij, siç është fokusi i ri rreth moshës së tij.

Vitet e avancuara dhe “qëndrueshmëria” mendore e presidentit tërhoqën vëmendje të re të enjten, kur një raport hetimor mbi trajtimin e dokumenteve të klasifikuara nga ana e tij tha se ai shfaqte “aftësi të pakësuara” në intervista dhe e quajti atë një “të moshuar me kujtesë të dobët”.

Biden e ndërlikoi edhe më shumë çështjen duke reaguar publikisht ndaj raportit, kur ai iu referua presidentit të Egjiptit Abdel Fattah Al Sisi si “presidenti i Meksikës”.

Presidentët e mëparshëm kanë bërë lapsus verbale. George W. Bush ishte i njohur për lokucionet të tipit si: “Më keqvlerësuan”.

Donald Trump, kandidati kryesor republikan për president, së fundmi ngatërroi ish-guvernatoren e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, rivalen e tij për nominimin, me ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

“Por gabimet e Biden-it kanë potencialin të formësojnë pikëpamjet e tij më shumë sesa gabimet e presidentëve të mëparshëm i ngjyrosën imazhet e tyre, thonë anketuesit dhe analistët, jo vetëm sepse Biden, në moshën 81-vjeçare, është presidenti më i vjetër në vend, por edhe sepse ai nuk ka ndërtuar një imazh si një lider i fortë ose të ketë krijuar një lidhje emocionale me votuesit. Është një problem i madh,” tha Rich Thau, nga kompania “Engagious”, që drejton fokus grupe votuesish që mbështetën Trump-in në zgjedhjet e vitit 2016, por e braktisën atë në ato të 2020-ës.

“Unë kam shumë njerëz në çdo fokus grup që do ta përmendin këtë ata nuk mendojnë se presidenti i ka të gjitha aftësitë e tij.”

Biden mund të tregojë për shumë arritje, të tilla si përparimi i shpenzimeve të mëdha në infrastrukturë, impiantet gjysmëpërçuese dhe programet e energjisë së gjelbër përmes një Kongresi të ndarë.

Ai ka udhëhequr vendet perëndimore në kundërshtimin e sulmit rus ndaj Ukrainës dhe ka vizituar atë zonë lufte, duke bërë një udhëtim 10-orësh me tren për në Kiev. Ai fluturoi për në Izrael menjëherë pas sulmeve të Hamasit të 7 tetorit që shkaktuan luftën dhe përleshjet e tjera në rajon.

Megjithatë, kur pyeten, votuesit shpesh nuk mund të përmendin asnjë nga arritjet e Biden. Më keq, thotë Thau, votuesit me të cilët ai flet shpesh përsërisin ide konspirative për udhëheqjen e presidentit. “Një element i moshës që dëgjoj në grupet e fokusit është se ai nuk është me të vërtetë ai që është, nuk është i përgjegjshëm dhe se njerëzit e tjerë në administratë ose Kongres po i tërheqin fijet,” tha ai.

William Mallon, 45 vjeç, një elektricist nga Tucson, Arizona, votoi për Biden në vitin 2020 dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë që ta mbështesë atë përsëri. Mallon tha se Biden ka “bërë një punë të mirë me presidencën”, si për shembull duke ndihmuar vendin të përballojë pandeminë Covid. Por ai tha se mprehtësia e presidentit luan rol mbi vendimin e tij.

“Duhet të kesh aftësi të mira njohëse për të mbajtur pozicionin më të lartë në tokë, një nga pozicionet më të fuqishme në botë,” tha ai.

“Nuk dua të jem kritik për moshën e tij apo diçka e tillë, por duket sikur kapaciteti i tij mendor është në rënie.”

Mosha e Biden-it është gjithashtu e ndërthurur në mendjet e votuesve me pakënaqësinë e tyre ekonomike, tha Gunner Ramer, drejtor politik i PAC për Përgjegjshmërinë Republikane, një grup anti-Trump që flet shpesh me votuesit. Këta votues janë të frustruar me gjendjen e vendit, veçanërisht me valën e fundit të inflacionit të lartë, por ata nuk mendojnë se presidenti është kompetent për ta çuar vendin në kohë më të mira.

“Ka një zhgënjim të thellë me ekonominë dhe ata duan të mbështesin dikë për të cilin mund të kenë një mendim të favorshëm, i cili mund t’i bëjë gjërat më mirë. Dhe për shumë votues të lëkundur, ky nuk është Joe Biden,” tha Ramer, i cili shtoi se shumë nga këta votues kanë gjithashtu rezerva për mbështetjen e Trump.

Votuesit dyshuan në aftësitë e Biden-it edhe para gafave të tij të fundit. Të pyetur për të krahasuar dy kandidatët e mundshëm të partive kryesore për Shtëpinë e Bardhë këtë vit, vetëm 14% thanë se Biden kishte qëndrueshmërinë më të madhe fizike për të qenë president, ndërsa 48% zgjodhën Trump, në një sondazh të Wall Street Journal në dhjetor.

Vetëm 29% thanë se Biden ishte më i aftë mendërisht për të shërbyer si president, krahasuar me 45% që zgjodhën Trump-in.

Biden të enjten sfidoi idenë se aftësitë e tij njohëse po zbehen dhe reagoi me zemërim ndaj pretendimeve për një kujtesë të dobët të bërë nga një këshilltar special që kërkonte se si dokumentet e klasifikuara u përfunduan në zotërimin e tij personal.

“Kujtesa ime është e mirë. Shikoni se çfarë kam bërë që kur jam bërë president,” tha ai.

Hetimi nga Robert Hur, një ish-prokuror amerikan nga Maryland gjatë administratës Trump, tha se nuk kishte asnjë akuzë penale kundër Biden, por vlerësoi se ai ishte i pakujdesshëm në mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara që nga koha kur ishte zëvendëspresident.

Në kontrast me Biden, Trump ka ndërtuar një lidhje më solide me mbështetësit e tij. Votuesit e Trump, shumë më tepër se mbështetësit e Biden-it, thonë se vota e tyre është më shumë një shenjë e mbështetjes për kandidatin e tyre sesa një sinjal kundërshtimi ndaj partisë rivale, zbulon sondazhi i Wall Street Journal.

Kjo lloj lidhjeje e ka ndihmuar Trump-in të ruajë mbështetjen e tij pavarësisht se u përball me akuza penale, ashtu siç ndihmoi një president tjetër në moshë të shtyrë, Ronald Reagan, të mbetet i popullarizuar pavarësisht gafave të tilla si shakaja se SHBA-ja do bombardonte Rusinë.

Votuesit kanë filluar të kenë pritshmëri të krijojnë një lidhje me presidentin e tyre. Biden ka qenë më pak i dukshëm se të tjerët që mbanin detyrën e tij.

Ai ka zhvilluar më pak konferenca shtypi se pesë paraardhësit e tij, rreth 33, krahasuar me 54 nga Trump dhe 65 nga Barack Obama në këtë pikë të presidencës, sipas të dhënave, të gjurmuara nga Martha Joynt Kumar e Universitetit Toëson, që zgjasin deri më 20 janar.

Biden gjithashtu ka kryer shumë më pak intervista në media sesa presidentët e tjerë të fundit, megjithëse ai flet joformalisht më shpesh me gazetarët, sipas të dhënave të Kumar.

Ishte Teddy Roosevelt ai që krijoi pritshmërinë se presidentët do bëheshin objekte të debatit publik dhe kulturës popullore. Ai përdori kompetencat e Shtëpisë së Bardhë për të shtypur Kongresin për të shtyrë përsëri praktikat e biznesit duke miratuar ligje antitrust dhe mbrojtjen e punëtorëve.

Ai iu referua platformës që zyra e tij i dha si një “lëvizje popullore ngacmuese”, një shenjë e rëndësisë që Roosevelt i kushtonte komunikimit me votuesit për të çuar përpara qëllimet e tij politike.

Roosevelt ishte një mjeshtër i krijimit të momenteve të parezistueshme për gazetat, mediat e mëdha të kohës, në një çast duke çuar një nëndetëse në fund të Long Island Sound për të ndërtuar mbështetje për teknologjinë e re nënujore të Marinës.

“Presidentët nuk e bënin këtë,” tha David Greenberg, një profesor historie në Universitetin Rutgers, i cili ka shkruar se si presidentët krijojnë një imazh publik.

“Fjalimet e tyre ishin ceremoniale, si në 4 korrik.”

 Në dekadat e mëvonshme, ideja e një “presidence personale” – një president që mund të ishte intim, ngushëllues ose argëtues, si dhe një udhëheqës – mori fuqi më të fortë. Ajo u forcua nga bisedat radiofonike të Franklin Delano Roosevelt, konferenca për shtyp plot shaka dhe personaliteti elegant i John F. Kennedy-t, dhe humori i Ronald Reagan-it. Si kandidat, Bill Clinton luante saksofon në TV natën vonë, dhe Richard Nixon, mes fushatave të tij presidenciale, luante piano në televizion.

“Të jesh i dukshëm është bërë pjesë e pritshmërisë së punës, dhe kështu një president që është shumë i mirë në prapaskenë, që merret me liderë të huaj, që merret me ndihmësit e tij në të menduarit përmes politikës dhe diplomacisë, madje edhe në marrëdhëniet me Kongresin – këto aftësi janë po aq të rëndësishme, por ato mund të mos jenë të mjaftueshme për të përcjellë tablonë e plotë,” tha Greenberg, i cili tha se besonte se Biden ka ndërtuar një rekord të kompetencës.

Disa analistë thonë se ndërtimi i një personaliteti publik të fuqishëm ka qenë një sfidë për Biden, pjesërisht sepse propozimi i tij në vitin 2020 ishte kthimi i kombit në normalitet pas katër viteve të një Trump-i vazhdimisht të pranishëm, i cili mori vëmendjen e publikut dhe tronditi nervat e kundërshtarëve të përmes deklaratave provokuese dhe postimeve të vazhdueshme në wëitter, tashmë të njohur si X.

“Biden qëllimisht u përmbajt dhe nuk po e shtynte veten para popullit amerikan çdo orë”, tha Thau.

“Dhe mendoj se fillimisht kjo i shërbeu mirë. Njerëzit donin pushim.”

Tani, megjithatë, votuesit thonë se  Biden mungon, shtoi Thau.

 “Ata thonë, ‘Nuk e di se çfarë po bën. Çfarë po bën ai?”, tha ai.

“Dhe kur kërkoj në fokus grupe të përmendin një arritje, një numër i madh njerëzish nuk mund të përmendin një gjë të vetme që ai ka bërë në dy vitet e para si president. Narrativa nga Shtëpia e Bardhë nuk depërtoi kurrë deri te ata.”

Chet Mooney, 23 vjeç, një student nga Tucson, Arizona dhe gruaja e tij, Amanda Allen, 24 vjeç, një teknike zëri, thanë se kanë parë video në Instagram të Biden duke lexuar fjalimet të shkruara në letër dhe shqetësohen se kjo tregon se ai nuk e ka kontrollin e vetes.

Allen dhe Mooney po vendosin mes Trump-it dhe kandidatit të pavarur Robert F. Kennedy Jr. në zgjedhjet e këtij viti.

“Unë me të vërtetë nuk e di se sa shumë ai po drejton këtë vend, bazuar vetëm në atë që kam parë dhe se si ai flet në publik,” tha Allen.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e WSJ

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani