Vendosni fjalën kyçe....

Dobët me mishin, shpenzuam 385 euro për frymë në vitin 2022, ndër më të ulëtat në Europë


Një shqiptar harxhoi mesatarisht gjatë vitit 2022 rreth 385 euro për konsumin e mishit me një rritje të shpenzimeve më gati 17 për qind në raport me 2021, sipas llogarive të Eurostat mbi komponentët e konsumit të Europë.

Siç shikohet nga grafiku i mëposhtëm, shqiptarët listohen në tetë vendet me shpenzimet më të ulëta për mish në Europë. Më pak shpenzon Turqia me 258 euro për frymë, Maqedonia e Veriut me 265 euro mish për frymë, Bullgaria me 300 euro, Polonia me 329 euro, Hungaria me 339 euro Bosnja me 370 euro dhe Shqipëria me 385 euro.

Në krahun tjetër shpenzimet më të larta për mish në Europë janë Luksemburg ku shpenzohen 790 euro në vit për frymë. Më tej në renditje ne Islanda me 785 euro, Zvicra me 740 euro, Belgjika me 719 euro mish për frymë të shpenzuara në vit.

Mishi kushton më shtrenjtë në Luksemburg dhe në Zvicër, ku niveli i çmimeve se 2.5 herë më i shtrenjtë se në pjesën tjetër të Europës. Sipas të dhënave të Eurostat, niveli i çmimeve është kryesisht më i lartë në vendet e Europës së Veriut si Islanda, Norvegjia dhe Luksemburgu.

Në vendet e lindjes mishi është një produkt i lirë në krahasim me Europën Perëndimore. Polonia ishte vendi me çmimet më të lira të mishit, në raport me mesataren e Bashkimit Europian, ndjekur nga Bulgaria me rreth 42% më lirë.

Në Shqipëri vitet e fundit çmimi i mishit është rritur, duke reflektuar problemet me prodhimin vendas për shkak të rënies së numrit të krerëve. Në krahun tjetër kërkesa po vjen gjithnjë e në rritje nga flukset e larta turistike.

Një pjesë e nevojave për mish janë duke u mbuluar nga importi.

Mishi dhe bulmeti ishin produktet me rritjen më të madhe të importit gjatë vitit 2022, ndër kategoritë e tjera të ushqimeve.

Vitin e kaluar vendi ynë u vizitua nga rreth 10 milionë turistë, teksa mishi është në themel të kuzhinës tradicionale. Restorantet tani janë në sfidë për t’iu ofruar vizitorëve prodhim vendi.

Teksa konsumatorët po përballen me çmime të larta të bulmetit, blegtorët po tkurrin numrin e krerëve prej kostove të larta. Braktisja e fshatit nga njerëzit po ul numrin e fermave të vogla, ndërsa fermat e mëdha me shumë krerë po vuajnë problemet në zinxhirin e ushqimit.

Numri i krerëve është përgjysmuar në dy dekada, teksa vitet e fundit tkurrja po bëhet më e shpejtë.

Organizata Botërore e Ushqimit, në një analizë të vitit të kaluar që i bëri Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në vendin tonë, rekomandoi se mbështetja financiare është shumë e ulët për të çuar sektorin në trajektoren e zhvillimit të qëndrueshëm.

FAO vlerësoi se masa e subvencioneve duhet të arrijë në 10% të Vlerës së Shtuar Bruto nga më pak se 1% që jep qeveria shqiptare aktualisht./B.Hoxha

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor

*Titulli redaksional, titulli origjinal i shkrimit: Shqiptaret shpenzuan 385 euro mish për frymë më 2022, ndër më të ulëtat në Europë