Vendosni fjalën kyçe....

Protestuesit kundër ligjit për shkollat private “pushtuan” universitetin në Selanik, ndërhyn policia


Forcat e policisë hynë në rektoratin e Universitetit Aristotel të Selanikut, i cili u pushtua për disa orë të enjten.

Sipas mediave të vendit fqinj, policia ka hyrë në ndërtesë nga parkingu nëntokësor. Ndërhyrja erdhi pasi një grup personash u futën në godinën e administratës pas përfundimit të marshimit në qendër të qytetit kundër projektligjit për universitetet private.

Në një deklaratë në rrjetet sociale, personat që u futën brenda thanë se po pushtojnë rektoratin, duke denoncuar vendimin e marrë të mërkurën nga Senati i Universitetit në favor të provimeve online në distancë në departamentet që u bllokuan më pas prej tyre.

Gjithashtu të enjten, një tubim studentor në qendër të Athinës shpërtheu në dhunë, me protestuesit kundër projektligjit, që u përleshën me policinë.

Përleshjet nisën para Parlamentit ndërsa protestuesit u përpoqën të çanin kordonin e sigurisë dhe të arrinin brenda Parlamentit, duke nxitur policinë të përdorte gaz lotsjellës.

Protestat u zhvilluan gjithashtu në qytetin port perëndimor të Patrës, Larisa, në Greqinë qendrore dhe në Peloponez.