Vendosni fjalën kyçe....

Një vështrim brenda “oborrit” të Trump-it, kush janë personat kyç të fushatës presidenciale


Një veteran që ka punuar në fushatën e Ronald Reganit. Një ish-marins i plagosur në Lindjen e Mesme. Ish-zëri i ndeshjeve të UFC-së.

Njihuni me zgjedhjen e ekipit A të Donald Trump për zgjedhjet presidenciale.

Ata janë mes një grushti figurash dalluese, që formojnë një rreth të ngushtë e të disiplinuar rreth ish-presidentit në përpjekjen e tij për t’u zgjedhur presidenti, sipas intervistave me më shumë se një duzinë njerëzish të afërt me fushatën e Trump, duke përfshirë zyrtarë të tanishëm dhe ish-zyrtarë, donatorë dhe strategë.

Ky ekip kryesor i fushatës prej rreth gjysmë duzine ndihmësish është besnik i patundur ndaj Trump dhe zgjedh të qëndrojë kryesisht në prapavijë, thanë njerëzit e intervistuar, duke shënuar një largim të ashpër nga orbita e mëparshme, më e lirë e këshilltarëve të Trump, e cila u karakterizua nga përleshje të brendshme, rrjedhje mediatike dhe batare akuzash e deklaratash.

“Ne shkojmë në luftë me njerëz të cilëve u besojmë,” tha bashkëmenaxheri i fushatës së Trump, Chris LaCivita, një ish-marins 57-vjeçar i plagosur në Luftën e Gjirit të vitit 1991, i cili u bë këshilltar politik.

“Nuk ka asnjë ngatërresë në lidhje me zinxhirin e komandimit,” tha LaCivita për Reuters.

“Ai është në krye.”

Publiku pa një shfaqje të rrallë të LaCivita-s dhe organizatores së tij të fushatës, Susie Wiles, kur Trump doli në skenë për të festuar fitoren e tij në garën e nominimit presidencial republikan në Iowa muajin e kaluar, ku ai mori 51% të votave.

Pas tij në buzë të skenës, e veshur me një xhaketë sportive të kuqe me duart e lidhura përpara vetes, qëndronte Wiles. Pas saj ishte koka tullace e LaCivitës.

“Ata nuk duan vlerësime, duan vetëm një fitore dhe duan ta bëjnë Amerikën të madhe përsëri”, tha Trump ndërsa iu drejtua dyshes.

“Ata nuk duan të flasin, nuk duan të fotografohen, ata thjesht duan të bëjnë punën e tyre, apo jo?”

Dy operatorët politikë veteranë dhe ekipi i tyre i vogël e kanë ndihmuar Trump-in të ndërtojë një epërsi të madhe në garën për nominimin republikan. Ata e kanë ndihmuar atë të fitojë miratime të mëdha, të lobojë partitë republikane shtetërore për ndryshime të rregullave, tallen pamëshirshëm me rivalët e tij, të zhvillojë strategjinë e suksesshme të fushatës për paditë e tij të shumta kriminale dhe të sigurohen që takimet të jenë të mbushura me mbështetës të veshur me kapele të kuqe.

“Shumica e njerëzve nuk e dinë se kush është Susie Wiles. Shumica e njerëzve nuk e dinë se kush është Chris LaCivita. Kjo nuk është një gjë e keqe,” tha në një intervistë Corey Lewandowski, një menaxher i fushatës së operacionit të Trump në 2016, i cili mbetet pranë tij.

“Ata po bëjnë punën e tyre çdo ditë. Dhe është një burrë, emri i të cilit shkruhet në anë të aeroplanit: Është Donald Trump, dhe atij i pëlqen kështu.”

Suksesi i deritanishëm i ekipit sugjeron që Trump mund t’i japë presidentit demokrat Joe Biden një garë shumë më të vështirë se katër vjet më parë në ndeshjen e tyre të mundshme në nëntor 2024.

“Biden do përballet me një operacion të klasit të parë Trump këtë herë,” tha këshilltari veteran republikan Scott Reed, i cili ka punuar në garat presidenciale dhe ato për Senat.

“Shumica e servilëve janë hedhur në kosh.”

Megjithatë, pavarësisht nga këshilltarët, Trump shihet gjerësisht si një arkitekt i sukseseve dhe fatkeqësive të tij dhe shpesh del jashtë skenarit për të bërë vërejtje që mund të pengojnë votuesit vendimtarë të moderuar dhe të pavarur në zgjedhjet e përgjithshme.

Nuk ka pasur asnjë shenjë të jashtme që rrethi i ri i brendshëm i Trump-it është tërhequr kundër planeve të tij polarizuese për të nisur përpjekjen më të madhe të dëbimit në historinë amerikane, për të pushuar ata që ai i quan aktorë “të korruptuar” në pozicionet e sigurisë kombëtare dhe për të “çrrënjosur” kundërshtarët e tij politikë. .

I pyetur për perspektivën e përballjes me një operacion më të disiplinuar të Trump-it, zëdhënësi i fushatës së Biden-it, Ammar Moussa tha se Biden – i cili e quan rivalin e tij një kërcënim për demokracinë amerikane – do e mundte atë pavarësisht nga ekipi i tij i fushatës.

“Votuesit po mësojnë se sa i rrezikshëm do ishte kthimi i Trump në Zyrën Ovale”, tha Moussa.

“Lufta e fundit” dhe golfi

Ekipi i fushatës së Trump-it për zgjedhjet e vitit 2020 është hequr nga ekipi për zgjedhjet e nëntorit 2024, kur qendrat e shumta të pushtetit e këshillonin. Në atë kohë, Brad Parscale si menaxher i fushatës komandonte një strukturë me 10 divizione, ndërsa shumë njerëz të tjerë kishin peshën e tyre duke përfshirë djemtë e Trump, Don Jr. dhe Eric, vajzën Ivanka, dhëndrin Jared Kushner dhe kryetaren e Komitetit Kombëtar Republikan, Ronna McDaniel.

Kësaj përzierjeje iu shtua një aparat i madh i Shtëpisë së Bardhë që përfshinte shefin e stafit Mark Meadoës, këshilltaren Kellyanne Conway, nënpresidentin e atëhershëm Mike Pence dhe një mori emrash të tjerë.

Këtë herë, fushata e Trump mbështetet shumë te Wiles, e cila punoi në fushatën presidenciale të Ronald Reganit në 1980 dhe e ndihmoi Trump-in të fitonte Florida në 2016 dhe 2020.

Wiles mbikëqyr gjithçka, nga buxheti deri te udhëtimi, sipas një burimi të fushatës me njohuri të drejtpërdrejta për këtë çështje, i cili si shumë nga njerëzit e tjerë të intervistuar kërkuan të mbeten anonim për të folur lirshëm.

Wiles solli një tjetër aset kyç për ekipin e fushatës: Njohuri të thella të rivalit kryesor të Trump në atë kohë, Ron DeSantis.

Ajo e ndihmoi atë në zgjedhjen e guvernatorit të Floridës në vitin 2018 përpara se dyshja të ndahej. Kjo e ndihmoi kampin e Trump të përcaktonte DeSantis herët, thanë disa burime të vetëdijshme për strategjinë, përpara se ai të kishte shpallur kandidimin e tij presidencial.

LaCivita dhe Wiles kanë temperamente të ndryshme, sipas njerëzve që i njohin dhe vëzhgimeve të Reuters në gjurmët e fushatës. LaCivita është i shoqërueshëm dhe i pëlqen të bisedojë me gazetarët, ndërsa Wiles është më e qetë dhe, në raste të rralla që përballet me gazetarët, zakonisht jep përgjigje të shkurtra.

Dyshja gjithmonë paraqet rekomandime të bashkuara për Trump, tha një burim tjetër i njohur me funksionet e brendshme të fushatës.

Strategjia e medias menaxhohet nga Jason Miller, një strateg i fushatës, dhe Steven Cheung, i cili ka punuar si shef komunikimi në Kampionatin Ultimate Fighting (UFC).

Gjithashtu në rrethin e brendshëm janë Brian Jack, një ish-drejtor politik i Shtëpisë së Bardhë nën Trump, i cili mbikëqyr pjesën më të madhe të kontaktit me politikanë të tjerë dhe ndihmon në sigurimin e miratimeve dhe Dan Scavino që merret me mediat sociale.

Scavino është një nga ndihmësit më jetëgjatë të Trump-it, duke u kthyer pas në vitet 1990, kur ai shërbeu si asistent për manjatin e pasurive të paluajtshme. Ai ka qenë në krah të Trump gjatë tre fushatave për president dhe katër vjetëve në Shtëpinë e Bardhë.

LaCivita i tha Reuters se nuk përpiqet të frenojë zakonin e Trump për të kërkuar këshilla nga një grup i gjerë njerëzish.

“Por ajo që ne kemi nga pikëpamja e strukturës është një grup i ngushtë,” tha ai gjatë një mitingu të Trump-it në Iowa.

Në një intervistë të veçantë gushtin e kaluar, LaCivita foli për ashpërsinë e përpjekjeve të tyre: “E dini, është e lehtë për ne të bëjmë një fushatë agresive dhe të jemi shumë agresiv kur kemi një kandidat që nuk i intereson dhe na lejon ta bëjmë atë. “

Djemtë e Trump, Don Jr. dhe Eric mbeten pjesëmarrës aktivë në fushatën e 2024-ës, pasi kanë kaluar kohë të konsiderueshme në terren në Iowa dhe New Hampshire dhe kanë bërë shfaqje të shpeshta televizive për babain e tyre.

Grumbullimet e mëngjesit në Palm Beach

Rreth tre duzina zyrtarë të fushatës së Trump-it punojnë në një ndërtesë të papërshkrueshme në Palm Beach, Florida, afër shtëpisë së Trump-it në Mar-a-Lago, sipas një prej burimeve të fushatës me njohuri për operacionin.

Rrethi i brendshëm – i përbërë nga Wiles, LaCivita dhe të tjerët – fillon çdo ditë me një takim në orën 9 të mëngjesit për të planifikuar, për të zgjidhur problemet dhe, më e rëndësishmja, për të siguruar që të gjithë të dëgjohen për të shmangur rrjedhjet ose grindjet e brendshme, sipas të njëjtit burim fushate.

“Ne këmbëngulim që të mos lëmë një takim ku nuk jemi të gjithë në bord”, tha burimi.

Më pas, Wiles zakonisht prezanton çdo gjë sfiduese për fushatën e Trump-it, me të cilin zakonisht takohet disa herë në javë.

Jashtë rrethit të brendshëm, ekipi më i gjerë i fushatës së ish-presidentit përfshin Ross Worthington dhe Vince Haley, të cilët kanë punuar në Shtëpinë e Bardhë të Trump dhe mbeten shkruesit e tij kryesorë të fjalimeve, sipas një duzinë burimesh pranë fushatës.

Fjalimet e Trump kanë rënë nën lupë javët e fundit pasi ai u tha mbështetësve se emigrantët po “helmojnë gjakun e vendit tonë” dhe i quajti armiqtë e tij politikë “parazitë”, komente të denoncuara nga kritikët si ksenofobe dhe që i bëjnë jehonë retorikës naziste.

Nuk është e qartë nëse këto komente erdhën nga Worthington dhe Haley, apo nga Trump që i bëri pa u menduar fare. Fjalia për emgranët që kanë “helmuar gjakun e vendit” nuk u shfaq në komentet e përgatitura të lëshuara në media përpara fjalimit të Trump në New Hampshire më 16 dhjetor dhe Wiles dhe ndihmës të tjerë nuk kanë bërë asnjë përpjekje për t’i përforcuar ato në email ose deklarata.

Cheung i kishte hedhur poshtë kritikat ndaj gjuhës së ish-presidentit si “të pakuptimta”, duke argumentuar se një gjuhë e ngjashme ishte e përhapur në libra, lajme dhe në TV. Reuters nuk ishte në gjendje të kontaktonte Haley dhe Worthington për koment.

Është gjithashtu e vështirë të merret një kuptim i saktë se kush po harton rekomandime politikash për Trump-in.

Dy burime thanë se ish-këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë dhe avokati i linjës së ashpër kundër emigracionit, Stephen Miller, ishte një nga personat që kishin kritikuar gjendjen në kufirin jugor me Meksikën. Keith Kellogg, një Gjeneral Lejtnant në pension ishte shefi i shtabit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Trump, është një këshilltar për sigurinë kombëtare, sipas Lewandowski, ish-menaxherit të fushatës së Trump.

Miller dhe Kellogg nuk pranuan të komentojnë.

Cheung tha se Trump “flet me një numër individësh të kualifikuar që janë ekspertë në fusha të ndryshme”, pa dhënë hollësi.

Disa burime të brendshme thanë se fakti që fëmijët e Trump kishin qëndruar kryesisht larg, do të thoshte se qendrat konkurruese të pushtetit nuk ishin shfaqur.

Megjithatë, gjatë fjalimit të fitores në Iowa, ishin dy djemtë e tij më të mëdhenj ata që e shoqëruan në skenë. Jashtë objektivit të kamerës ishin Wiles dhe LaCivita.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani