Vendosni fjalën kyçe....

Sulmi kibernetik ndaj INSTAT, Berisha: I rrëmbeu dora e zezë e Edi Ramës


Ish-kryeministri, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur dit e sotme para mbështetësve, ka theksuar se sot sulmi kibernetik ndaj INSTAT për të marrë të dhënat e censusit është bërë nga “dora e zezë e Edi Ramës dhe Taulant Ballës”.

Berisha ka deklaruar më tej se “puseta e akteve kriminale e grupit Rama-McGonigal, është e pafund dhe nuk ka të sosur”.

“Shqiptarët marrin lajme nga më të trishtat. Marrim lajme të cilat ndonjëherë nuk i kanë marrë as edhe në netët më të zeza të pushtimeve shekullore.

Sot doli lajmi se dora e zezë e Edi Ramës dhe Taulant Ballës ka rrëmbyer, ka shkatërruar të dhënat e regjistrimit të përgjithshëm të popullatës.

Nga koha e Skënderbeut, në të gjithë shekujt e Perandorisë Osmane, në 110 vite shtet shqiptar, kjo është hera e parë që një qeveri me dorën e saj të zezë, prish regjistrimin e popullsisë.

Ky është një krim i shëmtuar antikombëtar.

Me këtë krim, Edi Rama do të mbulojë 2 krimet e tij më të mëdha të këtij 10-vjeçari.

Së pari, do të mbulojë shpopullimin masiv të shqiptarëve me politikat e tij antishqiptare. Këtu para jush në mënyrë të përsëritur kam bërë publike informacionet që më vinin se numri i shqiptarëve të regjistruar ishte nën 1.5 milionë. Dhe se Edi Rama po shtynte shpalljen e regjistrimit sepse kishte urdhëruar mbartjen të qindra e mijëra emrave, në mos miliona, nga regjistrat e Gjendjes Civile, për t’i paraqitur si banorë të regjistruar në tetorin që kaloi.

Por, në proces e sipër, kuptoi se ky mashtrim do të zbulohej menjëherë nga EUROSTAT, i cili ka të regjistruar 1.1 milionë shqiptarë të larguar nga Shqipëria në zonën e Shengenit në 8 vitet e fundit të qeverisjes së Edi Ramës.

Atëherë skenari i hakerimit qeveritar, i shkatërrimit të të dhënave të regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë.

Natyrisht ky proces kriminal vjen në vazhdën e një serie procesesh që filluan me publikimin e rrogave, me publikimin e targave të të gjithë shqiptarëve, me publikimin e organigramës së ujdisur me NATO-n të Shërbimit Informativ Shqiptar dhe vazhdoi me grabitjen nga Taulant Balla të të gjithë të dhënave të TIMS-it për të fshehur gjurmët e krimeve të tij, 54 udhëtimet e regjistruara me Edmond Begon me çantën e kokainës me të.

Për të fshehur udhëtimet e tij me Pëllumb Gjokën në Itali, për të fshehur lidhjet e tij të krimit.

Për të fshehur lidhjet e krimit të Edi Ramës, udhëtimet e tij me avion në dispozicion, në 18 muaj janë 147 udhëtime për transporte të të gjitha llojeve dhe të gjitha destinacionet.

Për të fshehur grupin e Xibrakës dhe udhëtimet e Olsi Ramës.

Pra, për të fshehur krimet e shëmtuara qeveritare.

Por kjo e regjistrimit të përgjithshëm të popullatës përbën aktin më të shëmtuar në historinë e një shteti. Këtë nuk e kanë bërë kurrë pushtuesit. Këtë nuk e kanë bërë kurrë pushtuesit osmanë. Nuk është bërë kurrë gjatë diktaturës.

Kjo u bë për herë të parë sepse Çubrilloviçi apo Pashiqi i shqiptarëve, me politikat e tij përgjysmoi popullin në këtë vend.

Kjo u bë për një shkak tjetër madhor, sepse në regjistrimin e tetorit të vitit 2023, dilnin më pak banorë se sa votues në vitin 2021.

Dhe këtu dilte mbushja masive e kutive, falsifikimi total i zgjedhjeve nga Edi Rama.

Ja pse hakeroi ai sot me Taulant Ballën, me aktin më kriminal të shtetit, të dhënat e regjistrimit më themelor të çdo shteti dhe për çdo komb, regjistrimin e banorëve të Shqipërisë.

Të gjitha këto krime në seri, Edi Rama i bën sepse do të mbrojë me çdo krim pushtetin e tij.

Ky akt është një thirrje e madhe për çdo shqiptar që të ngrihemi për përmbysjen e këtij regjimi.

Sot përsëri, mediat serioze të botës ridimensiononin skandalin e shekullit Rama-McGonigal.

Sot mediat e mëdha paralajmëronin lidhjet e Ramës, Duçkës me kompanitë e Deripaskës, me kompanitë e shërbimeve ruse.

Puseta e akteve kriminale të grupit Rama-McGonigal nuk ka të sosur”, u shpreh ai.