Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli kryen sulme ajrore në jug dhe veri të Rripit të Gazës


Forcat izraelite të mërkurën kryen sulme ajrore në veri dhe jug të Rripit të Gazës, ndërsa janë shtuar përpjekjet ndërkombëtare për arritjen e një armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit.

Në shënjestër të sulmeve të Izraelit ishte edhe qyteti i Gazës, ku ushtria izraelite tha se vrau 15 militantë gjatë një operacioni tokësor.

Në Khanis Younis, qyteti më i madh në jug të Rripit të Gazës, dëshmitarët njoftuan për luftime të ashpra, përfshirë një numër sulmesh ajrore.

Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës, që drejtohet nga Hamasi, tha se numri i të vrarëve nga kundërofensiva izraelite ka arritur në 26,900, që përfshinë të vrarët në mesin e civilëve dhe militantëve.

Udhëheqësi i Hamasit, Ismail Haniyeh pritet të udhëtojë drejt Egjiptit për diskutime mbi një propozim për armëpushim, i cili përfshinë ndërprerjen e luftimeve nga të dyja palët në Rripin e Gazës dhe lirimin e pengjeve që po mbahen nga Hamasi.

Ismail Haniyeh tha të martën se Hamasi po analizonte propozimin për armëpushim dhe përsëriti kërkesën e grupit militant për një armëpushim të përhershëm dhe tërheqje të trupave izraelite nga Gaza.

“Përparësi është ndërprerja e agresionit të padrejtë dhe tërheqja e plotë e forcave pushtuese”, tha udhëheqësi i Hamasit.

Ai gjithashtu tha se Hamasi do të kërkonte ndihmë për rindërtimin e Gazës, pjesa më e madhe e së cilës është shkatërruar gjatë kundërofensivës izraelite, që pasoi sulmin e Hamasit në Izrael më 7 tetor, në të cilin u vranë 1200 vetë. Hamasi gjithashtu po kërkon heqjen e bllokadës ekonomike disa vjeçare të Izraelit ndaj Rripit të Gazës dhe lirimin e të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se tërheqja e plotë e trupave nga Rripi i Gazës nuk do të bëhej para realizimit të objektivave të Izraelit. Netanyahu është zotuar për shkatërrimin e Hamasit në mënyrë që kjo organizatë të mos jetë në gjendje të kryejë sulme kundër Izraelit në të ardhmen.

Korniza e një marrëveshje të mundshme është rezultat i bisedimeve në Paris, ku morën pjesë zyrtarë të Shteteve të Bashkuara, Izraelit, Katarit dhe Egjiptit.

Më shumë se 100 pengje u liruan gjatë një armëpushimi një javor në nëntor të vitit të kaluar në këmbim të lirimit të 240 palestinezëve nga burgjet izraelite. Dyshohet se Hamasi po mban edhe rreth 100 pengje të tjera.

Sulmi në Bregun Perëndimor

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut bëri thirrje për ndaljen e menjëhershme të “vrasjeve të paligjshme të palestinezëve në Bregun e pushtuar Perëndimor”, pasi forcat izraelite vranë tre njerëz në spitalin e Xheninit, që Izraeli tha se ishin militantë që po planifikonin një sulm ndaj Izraelit.

Në deklaratën e OKB-së operacioni i Izraelit në spitalin e Xheninit konsiderohet “një plan i ekzekutimeve pa gjyq”.

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut vuri në dukje një rritje të vrasjeve të palestinezëve në Bregun Perëndimor që nga sulmi i 7 tetorit. Rreth 370 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor gjatë kësaj periudhe, shumica e tyre nga forcat izraelite.

Michael Provence, profesor i historisë moderne të Lindjes së Mesme në Universitetin e Kalifornisë në San Diego, i tha Zërit të Amerikës se sulmi ishte “i vrazhdë dhe një veprim përshkallëzues, por jo i pashembullt” për Izraelin.

Profesor Provence tha se sulmi gjithashtu i vështirëson negociatat për arritjen e një armëpushimi.

Izraeli ka akuzuar Hamasin se po përdor spitalet dhe tunelet nën qendrat shëndetësore për të fshehur armët dhe po përdor civilët si mburoja njerëzore.

Ndihma për palestinezët

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres u takua të martën me përfaqësuesit e 35 vendeve dhe ata Bashkimit Evropian pasi disa vende të mëdha pezulluan ndihmat financiare për Agjencinë e OKB-së mbi ndihmat për refugjatët palestinezë (UNRWA). Vendimi për pezullimin e ndihmave pasoi akuzat e Izraelit se 12 punonjës të agjencisë së OKB-së mbi ndihmat për refugjatët palestinezë janë përfshirë në sulmin e Hamasit në Izrael më 7 tetor.

Më shumë se 12 vende, përfshirë donatorin më të madh, Shtetet e Bashkuara njoftuan pezullimin e mbështetjes financiare për UNRWA ndërsa hetimet për këtë çështje vazhdojnë. UNRWA tha se nga pezullimi i këtyre fondeve agjencia nuk do të ketë qasje në 444 milionë dollar, shkruan VOA.