Vendosni fjalën kyçe....

74 viktima nga rrëzimi i avionit që po transportonte të burgosur lufte ukrainas, Kievi e Moska akuzojnë njëri-tjetrën (Video)


Rrëzimi i një avioni që mbante 74 njerëz në bord, 65 prej të cilëve të burgosur lufte ukrainas që do shkëmbeheshin me të burgosur lufte rusk a përplasur ashpër Moskën me Kievin.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 11:15 të paradites me kohën lokale, teksa avioni i mallrave Ilyushin-76 u rrëzua brenda hapësirës ajrore ruse, rreth 6 kilometra nga fshati Yablonovo në rajonin e Belgorodit.

Pas përplasjes Moska reagoi menjëherë përmes ministrit të Jashtëm Lavrov i cili e quajti ngjarjen një akt terrorizmi.

“Aeroplani u shkatërrua nga Forcat e Armatosura të Ukrainës nga zona e Liptsy-t, rajoni Kharkiv, duke përdorur një sistem raketash anti-ajrore. Radarët e Forcave Ajrore Ruse vëzhguan lëshimin e dy raketave ukrainase.” – tha Ministria ruse e Mbrojtjes.

Sipas Rusisë, një tjetër aeroplan që mbante në bord 80 të burgosur lufte ukrainas ishte në ajër në kohën e incidentit tragjik.

Ata pretenduan se pala ukrainase ishte njoftuar më herët për fluturimet që do kryheshin dhe se në aeroplanë kishte të burgosur lufte ukrainas.

Komanda ushtarake e Ukrainës nga ana e saj tha se e konsideronte aeroplanin ushtarak rus që i afrohej Belgorodit si objektiv legjitime, por nuk pranoi se e kishte qëlluar.

Në një deklaratë të formuluar me kujdes, Shtabi i Përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës tha se sulmet e fundit në qytetin e Kharkiv, i cili shtrihet vetëm 30 kilometra nga Rusia, po lehtësohen nga avionët rusë të mallrave që sjellin armë pranë kufirit.

“Intensiteti i regjistruar i granatimeve lidhet drejtpërdrejt me rritjen e numrit të avionëve të transportit ushtarak që së fundmi janë nisur drejt aeroportit të Belgorodit”, thuhet në deklaratë.

“Duke pasur parasysh këtë, Forcat e Armatosura të Ukrainës do vijojnë të marrin masa për të shkatërruar mjetet e dërgimit dhe kontrollin e hapësirës ajrore për të eliminuar kërcënimin terrorist, duke përfshirë drejtimin Belgorod-Kharkov”, vijoi deklarata.

Burimet ukrainase më herët thanë se avioni mbante raketa për sistemin e mbrojtjes ajrore S-300. CNN nuk mund të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e asnjërës palë.

“Ne duhet të përcaktojmë të gjitha faktet, sa më shumë që të jetë e mundur, duke pasur parasysh që avioni u rrëzua në territorin rus”, tha Zelensky në një video të publikuar në faqen e tij të internetit.

Ai shtoi se autoritetet ukrainase po hetojnë incidentin dhe po punojnë për të “përcaktuar fatin e të gjithë të burgosurve”.

“Vendi ynë do këmbëngulë në një hetim ndërkombëtar,” tha presidenti, duke akuzuar Moskën se “po luan me jetën e të burgosurve ukrainas”. Megjithatë, ai nuk përmendi një fajtor për shkatërrimin e avionit të transportit.