Vendosni fjalën kyçe....

Vokshi: Ashpërsimi i masave në Kodin Penal nuk e ul dhunën ndaj familjes, ndryshimet propagandë për dështimin e qeverisë


Ish-deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka komentuar ndryshimet kushtetuese të cilat preknin edhe masat për dhunën në familje.

Sipas Vokshit ndryshimet janë antikushtetuese dhe nuk mund të mbrojnë të drejta legjitime kushtetuese.

Më tej ndryshimet në Kodin Penal për dhunën në famije, Vokshi i ka quajtur propagandë të qeverisë pasi po tenton të mbulojë dështimin me dhunën.

Me ndryshime antikushtetuese, nuk mund të mbrohen të drejta legjitime kushtetuese.

Ndryshimet Antikushtetuese të Kodit Penal, ashpërsimi i masave për dhunën në familje- janë propagandë e qeverisë që po tenton të mbulojë dështimin spektakolar me dhunën në familje.

Në 4 vite qeverisje nuk arritën të mbrojnë asnjë viktimë të dhunës në familje, një prej tyre edhe gjykatëse”-shkruan Vokshi.

Sipas ish-deputetes statistikat tregojnë se dhuna në familje në Shqipëri nuk varen nga rritja e masës së ndëshkimit të dhunuesve. Problemi shton Vokshi nuk qëndron te Kodi Penal por te lufta kundër dhunës e cila nuk ka qenë prioritet i qeverisë

Statistikat e dhunës në familje në Shqipëri kanë treguar që rritja e masës së ndëshkimit të dhunuesve nuk ka sjellë uljen e numrit të rasteve të dhunës.

Problemi nuk qëndron te Kodi Penal e masat ndëshkuese. Problemi kryesor është që lufta kundër dhunës në familje nuk ka qene kurrë prioritet e nuk është marrë kurrë me seriozitet nga Qeveria Rama 1&2. Nëse ke shkatërruar me sukses në 7 vite një mekanizëm të tërë referimi, masat e reja e të vjetra ndëshkuese, nuk bëjnë derman”-shkruan ish-deputetja.

Më tej Vokshi kujton edhe një projektrezolutë të propozuar nga demokratët me nisma konkrete të cilat sipas saj nëse do zbatoheshin do reduktonin dhunën në familje.

Në dhjetor 2017, 10 deputetë të PD mes të cilëve edhe Kryetari i PD Basha, propozuan një rezolutë me nisma konkrete për disa institucione shtetërore shoqëruar me afatet përkatëse, që nëse zbatoheshin do të reduktonin ndjeshëm dhunën në familje.

Rezoluta e PD kërkonte:
Rishikimin dhe forcimin e të gjithë mekanizmave për mbrojtjen e viktimës dhe vënien në dispozicion të mjeteve të nevojshme për rastet e dhunës apo edhe të rrezikut për jetën, duke mirëpërcaktuar detyrimet e pushtetit qendror, pushtetit vendor, Policisë së Shtetit, prokurorisë, parlamentit, shoqërisë civile e medias. Po ashtu, Rezoluta parashikonte edhe masa për ndihmë të drejtpërdrejtë për forcimin ekonomik të grave që kishin pësuar dhunë
”-shkruan ish-deputetja.

Por, më shumë se dy vjet pas miratimit në Kuvend të kësaj rezolute, Qeveria nuk ka marrë asnjë masë, nuk është bërë asgjë për implementimin e saj. Shifrat e dhunës në familje, krahasuar me dy vjet më parë, janë alarmante. Duket njëjtë me bilanci lufte!

Një studim i fundit i OSBE ka publikuar shifra tronditëse: 67% ose rreth 1 milionë gra në Shqipëri pësojnë një formë dhune. Janë mbi 2600 raste dhune në ditë, ku rreth 1800 raste mbeten të padenoncuara.

Arësyet?
– Mekanizmi i referimit të dhunës në familje është shkatërruar;
– Kryeministri bëhet shpesh nxitës i dhunës në familje;
– Institucionet shtetërore nuk mbrojnë gratë, por dhunuesit, kriminelët, trafikantët apo familjarët e deputetëve të Ramës.

Kodi i ndryshuar Penal mbron vetëm të drejtat e pushtetit të dhunshëm dhe këtë dëshmoi votimi sot në parlament i dënimeve me burg, për secilin prej nesh, që del nga shtëpia pa lejen e Edi Ramës!-përfundon Vokshi.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *