Vendosni fjalën kyçe....

Gurore në Elbasan, Ministria e Infrastrukturës pranon ofertën me 2.6 milionë euro vlerë investimi


Pas nëntë muajsh nga paraqitja e ofertave për disa zona minerare të shpallura  Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi pranimin e të paktën një prej tyre si të suksesshme në zonën e Elbasanit.

Në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik u njoftua se shfrytëzimi i zonës minerare 22/31 në Gjorma të Elbasanit për gurin gëlqeror kundrejt një vlere investimi 2.6 milionë euro i është dhënë një kompanie.

Nr. i Referencës së zonës minerare: Zona Minerare Nr. 22/31, për objektin Gjorma, Qarku Elbasan, lloji i mineralit gur gëlqeror, veprimtaria shfrytëzim.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton shoqërinë “IBN-I” sh.p.k, se oferta e paraqitur më datë 03.05.2023, për përfitimin e të drejtës për aplikimin për leje minerare në zonën minerare nr. 22/31, për vlerën totale të investimit prej 278.5 milion lekë dhe sasinë e prodhimit të mineralit të gur gëlqeror 600 mijë m3/vit, është pranuar si ofertë e suksesshme në procedurën e konkurrimit për të drejtën e aplikimit për leje minerare në zonën minerare konkurruese nr. 22/31, për objektin Gjorma, Qarku Elbasan, lloji i mineralit gur gëlqeror, veprimtaria shfrytëzim, me kushtet që projekti i zhvillimit të veprimtarisë minerare që paraqitet me aplikimin në QKB duhet të përcaktojë:

-Prodhimi që mendohet të realizohet në zonën minerare 600 000 m3/vit

– Sasia e prodhimit qe do te përpunohet 600 000 m3 /vit

– Vlera e investimit që parashikohet për tu kryer 278 500 000 lekë

-Vlera e produkteve minerare 6 093 061 168 lekë

-Vlera e rentabilitetit ekonomik (IRR=….%) 42.45 %”

Në maj 2023 Ministria e Infrastrukturë dhe Energjisë nxori disa zona minerare për ti dhënë përmes garës tek biznesi. Bëhej fjalë për minerare konkurruese Nr. 214/1, Nr. 22/31, Nr. 22/44, Nr. 350/6, Nr. 136/9, Nr. 349/4. Pjesa më e madhe e këtyre zonave minerare për shfrytëzim kishin si objekt nxjerrjen e materialeve ndërtimore gur gëlqeror, gëlqerorin e mermerizuar apo ranor silicor.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor